A mban përgjegjësi lideri i PS
Tuesday, July 28th, 2009 | Zgjedhjet 2009
Rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit i ka ndarë në mëdyshje socialistët, nëse lideri i tyre duhet të vlerësohet për faktin se partia e tyre është forca më e madhe në vend, apo nëse ai duhet të largohet për shkak se nuk arriti të sjellë partinë në pushtet. Zërat kundër Ramës në parti, po akuzohen nga pjesa tjetër e socialistëve si tradhtarë, e pse jo në disa rrethe janë marrë edhe hapa për ndëshkimin e “rebelëve”. Një situatë që rrezikon t’i marrë frymën edhe më tej të shumëvlerësuarës demokraci e brendshme e Partisë Socialiste. A mendoni se duhet të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë lideri i PS dhe stafi i tij i ngushtë në rast se organizimi i fushatës, programi dhe përballja elektorale, nuk arritën të sjellin në pushtet forcën që drejton ?
3 Comments to A mban përgjegjësi lideri i PS
Dorëheqja si institucion
Fjala “dorëheqje” këto ditë është përdorur e konsumuar më shumë se ujët e Bovillës në pikun e vapës. E kanë përdorur ata që kanë të drejtë ta përdorin, për shembull anëtarët e zhgënjyer të partive nga përfundimi i zgjedhjeve. Por më shumë e kanë përdorur pikërisht ata që nuk e kanë këtë të drejtë. Thuajse të gjithë kryetarët e partive të vogla kërkuan dorëheqjen e kryetarit të partisë më të madhe opozitare, sikur ata vetë nuk kishin pësuar disfatën më të madhe të këtyre 20 vjetëve, duke mbetur edhe vetë jashtë Kuvendit. Madje edhe kryetari i së vetmes parti të majtë “fituese”, në saje të së cilës e djathta fitoi të drejtën të krijojë qeveri, kërkoi dorëheqjen e lidershipit të së majtës!
Në Shqipëri nuk ka traditë dorëheqjeje. Gjatë gjithë periudhës komuniste mbahet mend vetëm dorëheqja e një ministri, të ministrisë së drejtësisë, kur qytetarit iu hoq e drejta për të pasur mbrojtje juridike (avokati). Me dorëheqje është larguar kreu i fundmë i ish-komunistëve R. Alia. Me dorëheqje është larguar gjithashtu dy herë ‘kryetari historik i së majtës” F. Nano. Eshtë thënë se këta dorëheqjen e dhanë në kushte të detyruara. Sikur ç’zbulim kanë bërë! Natyrisht se dorëheqja në kushte të luksit nuk jepet. Ndërsa në rreshtimin e djathtë faktet na thonë se dorëheqja nuk njihet, nuk e ka provuar kush.
Ajo që nuk është kuptuar në gjithë debatet e sotme për dorëheqjen është thelbësore: dorëheqja është institucion, nuk është dëshirë. Dhe si të gjitha institucionet edhe dorëheqja ka kushtet e veta juridike kur jepet e pranohet. Kushti themelor juridik është të ekzistojnë institucionet që parashkruhet ta pranojnë dorëheqjen. Për shembull, dorëheqjen e kryeministrit e pranon Presidenti, dorëheqjen e Qeverisë e pranon Kuvendi, dorëheqjen e kryetarit të partisë e pranon forumi më i lartë i saj (konventa, kongresi, kuvendi). Dorëheqja pa ekzistencën e këtyre kushteve kufizuese juridike nuk është e tillë, por gjithçka tjetër: dorëzim, shmangie, tërheqje, frikë, braktisje.
Nuk i ka shpëtuar këtij kufizimi edhe debati i këtij forumi për dhe kundër dorëheqjes së lidershipit socialist. Pse gjithë ky ngut? A duhet të mësohen njerëzit të kenë durimin e mjaftueshëm që të formohen kushtet juridike për të shqiptuar një kërkesë? Shteti dhe pushteti, partitë dhe faktorët e tjerë politikë, të gjitha ato institucione dhe subjekte që e kanë rregulluar jetën e tyre të brendshme me statute, kushtetuta etj., jetojnë me kultin e formës. Vetë jeta shtetërore jeton me kultin e formës. Format juridike nuk janë krijuar kot, por pikërisht për të parandaluar, për shembull, “rrëmbimin demokratik” të pushtetit. Në situata të vështira gjithnjë dalin shpëtimtarë, falltarë, që supozojnë se po të kishin qenë ata në krye do të kishte dalë ndryshe puna etj. Por këtyre shpëtimtarëve, ose shërbyesve të tyre, a nuk u duhet thënë se dorëheqje institucionale është vetëm ajo për të cilën ekzistojnë kushtet. Domethënë, që duhet të kenë durim deri sa socialistët vetë, atyre që u takon dhe kanë të drejtë vote në parti, të mbledhin kongresin, të bëjnë analizën, të identifikojnë dhe njohin përgjegjësitë, këto përgjegjësi të kthehen në autopërgjegjësi dhe pastaj të gjithë ata që kanë vetëdije qytetare e politike të hedhin hapin emancipues të dorëheqjes? Për ndryshe, a nuk duken edhe këta vrapuesit entuziastë për ta përshpejtuar dorëheqjen pa pasur institucion të ligjshëm pranimi të tij njësoj si shpëtimtarët e rremë të situatave, në mos edhe ndihmues të njërit e tjetrit që kanë hyrë në garën për kryetar ende pa mbetur bosh vendi i kryetarit?
Shëmtimi shumëshekullor i politikës është shprehur në sloganin: “Vdiq mbreti? Rroftë mbreti!” Natyrisht pyetja bëhet për të vjetrin dhe urimi për të riun…
(SHSHSP ‘08)
03/08/2009
Zgjedhjet e gabuara të Ramës
Eshtë folur shumë së fundi për çështjen nëse duhet të largohet Rama nga PS apo jo. Në fakt, në këtë temë që është shtruar për diskutim, mendova se duhet të diskutonim për një aspekt tjetër të post 28 qershorit në PS. Pra, faktin nëse duhet të mbajë përgjegjësi politike lideri socialist, për faktin që forca e tij politike mbeti sërish në opozitë. Nëse bëhet një analizë e tillë brenda rradhëve të socialistëve, mund të arrihet më pas në pikëpyetjen e shumëpërfolur: largimin apo mistifikimin e Edi Ramës.
Në rastin e zgjedhjeve të 28 qershorit, analiza e fituesit dhe humbësit është më e vështirë për t’u bërë pasi kemi një rezultat të komplikuar. Sipas vendimit final të KQZ-së, Partia Socialiste u shpall partia më e madhe në vend me 10 mijë vota më shumë se rivalja e saj kryesore, pra Rama mund të krenohet se ka arritur të mbledhë më shumë vota me idetë dhe fushatën e tij, por gjithashtu edhe me lëvizjen G99, e cila futi në rradhët e aleancës së majtë rreth 13 mijë vota të rinjsh. Duke sjellë si shembull këtë shumë votash, mesa duket Rama do të kërkojë rikandidimin e tij në krye të socialistëve në kongresin e jashtëzakonshëm në fund të këtij muaji.
Por kjo fitore votash në emër të PS, nga ana tjetër e rrit edhe më tepër përgjegjësinë që duhet të mbajë Rama për faktin se edhe pse u votua nuk arriti sërish të nxjerrë partinë e tij nga opozita. Në fund të fundit, qëllimi i çdo force është ardhja në pushtet me çdo mjet dhe mënyrë.
Të ndodhur mes këtyre dy pamjeve që të kujtojnë gotën gjysëm plot dhe gjysëm të zbrazur, debati për shpalljen e Ramës hero apo mëkatar, i ka ndarë më dysh jo vetëm socialistët, por edhe të gjithë opinionin publik. Deri më sot, Rama nuk ka pranuar humbjen e zgjedhjeve, e si rrjedhojë nuk mund të pranojë as faj për një humbje që ai nuk e njeh. Por ai duhet t’u shpjegojë socialistëve se përse ata do të vazhdojnë të jenë edhe 4 vite të tjera në opozitë. Dhe qëndrimi në opozitë nuk mund të justifikohet vetëm me vjedhjen e votave nga PD dhe aleatët e saj.
Duke qënë se socialistët ende nuk e kanë bërë analizën që i çoi tek ky rezultat, po rendis disa aspekte që rëndojnë mbi lidershipin e saj dhe jo faktorët e jashtëm:
-Mungesa e negociatave me LSI
Pavarësisht oreksit të madh të Ilir Metës për postin e kryeministrit apo shpërblime të tjera ministrore, lideri socialist nuk mund të fshehë faktin se vendosi të hyjë në zgjedhje pa LSI-në, duke menduar se nuk ia kishte nevojën asaj. Pra, ai nuk pranoi asnjë kompromis paraelektoral me LSI. Kjo ishte zgjedhja e tij personale dhe përgjegjësi direkte e një lideri partie.
-Përjashtimi nga listat dhe prezantimet publike i ish-kreut F.Nano dhe figurave tradicionale të PS
Rama solli në PS një sërë figurash të reja duke argumentuar se politikanët e vjetër e kishin lodhur popullin. Listat e hartuara prej tij, lanë në hije një sërë figurash tradicionale, të cilët kishin punuar prej vitesh me elektoratin e majtë dhe mund të ndikonin gjatë fushatës edhe pse nuk ishin në listat e kandidatëve. Këta figura u anatemuan si e keqja e PS, duke i renditur shumë prej tyre (duke përfshirë edhe ish-kreun Nano) në radhën e armiqve politikë. Lideri Rama mban përgjegjësi sepse nuk arriti të krijonte një ekip të respektuar dhe të stimuluar për figurat “e vjetra”, të cilët vërtet nuk mund të ishin të gjithë në lista, por të paktën nuk do të prishnin punë në ish-zonat e tyre elektorale.
-Mungesa e një programi të prekshëm nga publiku
Në zgjedhjet e vitit 2005 dhe ato lokale të 2007-ës, u vu re se elektorati shqiptar ishte i ndarë më dysh mes të majtës dhe të djathtës. Kështu pritej që asnjë forcë nuk do të kishte një fitore të thellë edhe në 2009 dhe rezultati do të vendosej nga ata që ishin të lëkundur, elektorati “gri”. Duke patur të qartë këtë skemë, lideri Rama mban përgjegjësi që bëri një zgjedhje personale për të mos publikuar programin e PS në detaje. Kjo u shfrytëzua nga rivalët për të ngritur dyshimin se nuk kishte një program e si rrjedhojë nuk ngjalli interesin e duhur tek zgjedhësit e lëkundur për të provuar një qeveri të re. (Ky shqetësim shprehej edhe në komentin e botuar në forum dhe më pas në “Gazeta Shqiptare” më 16 qershor me titull “Për kë do votojnë të pavendosurit”).
-Aprovimi i modelit zgjedhor që favorizoi të djathtën
I gjithë faji i është hedhur në këtë pikë Kastriot Islamit, duke ngjallur edhe njëfarë silurimi të tij nga militantët. Në këtë rast, përgjegjësia direkte mund t’i lihet lojtarit që humbi penalltinë (Islamit), por edhe trajneri (Rama) që zgjodhi këtë lojtar për t’i besuar, sigurisht që nuk mund të dalë pa asnjë përgjegjësi.
Pasi socialistët të marrin një shpjegim për këto pika të dyshimta të strategjisë së zgjedhur nga Rama dhe stafi i tij, ata mund të vendosin nëse lideri i tyre mban apo jo përgjegjësi për rezultatin e 28 qershorit. Dorëheqja e parevokueshme e kryetarit apo rimanditimi i tij në kongres, mbeten pastaj për t’u vendosur në një tjetër kandar moral, politik apo interesash personale të bazës socialiste.
(SHSHSP ‘08)
18/08/2009
Lexova dje intervistën e z.Rama në gazetën “Shekulli”, e dhënë menjëherë pas reflektimit të kryer gjatë pushimeve. Përvec faktit që ai deklaroi rikandidimin në kreun e PS, mund të vihej re mjaft qartë se Rama nuk po pranon asnjë përgjegjësi për 28 qershorin. Të paktën, përpara kongresit të 29 gushtit, ai nuk dëshiron t’u drejtohet socialistëve si përgjegjës për lënien e tyre në opozitë. Të shpresojmë se edhe pse nuk e thotë publikisht, lideri socialist e ka kuptuar se zgjedhjet e tij ishin të gabuara dhe strategjitë për të ardhmen duhet të ndryshojnë. Në rast të kundërt, PS nuk do të ketë shumë shanse për të dalë nga opozita para 2013-ës.
Erjon Tase
(SHSHSP ‘08)
Leave a comment
You must be logged in to post a comment.
Pyetje liderit
Search
Komentet e fundit
- etase on Kriza politike dhe lëvizja e lirë
- admin on Protesta dhe kriza ekonomike
- anila_2010 on Radikalizimi i protestës së opozitës
- etase on Radikalizimi i protestës së opozitës
- Edlira Gjoni on Protesta dhe kriza ekonomike
Me te lexuarat
- No results available


29/07/2009