I pandehuri Mediu në qeveri

Wednesday, September 9th, 2009 | tema e dites

Një grup analistësh të medias dhe veprimtarësh të shoqërisë civile, kanë inicuar ditët e fundit një peticion kundër përshirjes së z.Fatmir Mediu në kabinetin e ri qeveritar. Shkak i këtij qëndrimi publik, është fakti që z.Mediu është duke u gjykuar si një nga zyrtarët kryesorë që krijuan kushtet për tragjedinë e Gërdecit. A mendoni se ky rikthim në qeveri i kreut të republikanëve, mund të cënojë një proces të rregullt gjyqësor ndaj tij ? A përbën kjo përfshirje e Mediut, një problem politik dhe moral të kryeministrit dhe kabinetit të tij qeveritar ?

2 Comments to I pandehuri Mediu në qeveri

Rezart Lahi
12/09/2009

Nxitimi per pushtet i z.Mediu
Fakti qe nje grup analistesh i derguan kreut te qeverise nje peticion eshte nje hap shume i mire per demokracine pasi me ben te mendoj se sfera publike nuk eshte shuar. Mungesa e saj duhet te na shqetesoje kundrejt cdo heshtje apo mbyllje sysh perballe nje arrogance shteterore apo mosperfilljeje shoqerore.
Persa i perket kerkeses, ajo mbetet e drejte pasi vendi yne apo edhe vete PR ka mjaft individualitete dhe emri i ministrit nuk mund te kufizohet vetem tek Fatmir Mediu. Ndoshta askush mund te mos kete verenjtje per qendrimin e Mediut pasi dha doreheqjen dhe u shpreh i hapur per heqjen e imunitetit (jo se kishte shume zgjidhje) por shumekush irritohet duke pare nxitimin ne papermbajtje per t’u bere minister e per te patur mundesite e nje pushteti qe nuk te fal vetem komoditet, por edhe me teper.
Kemi nje ceshtje akoma te hapur per viktimat e Gerdecit ku nder te dyshuarit kryesor mbetet i propozuari per anetar qeverie. Argument i z. Berisha se nuk mund te ndryshonte kandidaturen e propozuar nga nje parti te ben skeptik ne maksimum duke ditur edhe autoritetin qe kreu i qeverise ka ne perzgjedhjen e kandidaturave.
Pa i vene shume rendesi nese letra u inicia nga analistet apo nga ndonje faktor tjeter, reagimi eshte lajmi me i madh pasi pritshmeria per te ndryshuar dicka ishte zero. Me e pakta qe mund te bente Mediu ishte te qendronte larg posteve qeveritare deri ne perfundim te procesit gjyqsor duke qene se eshte i ri dhe ka kohe edhe per karriere te mevonshme politike. Me normalja, qendrimi larg qeverise qofte edhe per nje aksident ku nuk kishte pergjegjesi direkte apo indirekte. Raste te tilla shohim cdo dite ne demokraci te pjekura. Raste si i Mediut shohim perdite ne diktatura te papjekura.
Se fundmi perplasja me Godon nuk e forcon ashtu si mund ti sygjeroje dikush prane Mediut, por e dobeson, can dhe veshtireson marrjen e PR si nje parti serioze dhe me individualitete. Pavarsisht edhe qellimeve te “plakut te urte” vendosja perballe tij nxjerr ne pah sakrificen e Mediut per afshin e ngoshte te pushtetit ministror.

Ky koment mund te shihet edhe ne
http://www.rezartlahi.blogspot.com
dhe
http://www.publicsphereal.wordpress.com

(SHSHSP ‘08)

etase
16/09/2009

Edhe ne fajtorë për Gërdecin?!

Përpos të gjitha debateve dhe atij peticioni moralizues të njerëzve të medias, kryeministri Berisha e zyrtarizoi dje z.Mediu si pjesë të kabinetit të tij. Rikthimi i kreut të republikanëve në qeveri, është sigluar tashmë nga të gjitha strukturat shtetërore dhe nuk ka më asnjë mundësi korigjimi. Presidenti Topi e ka dekretuar kandidaturën e ministrit të Mjedisit, duke u kujdesur që të largojë cdo ndjenjë përgjegjësie në deklaratën e tij publike se: Morali i qeverisë i përket kryeministrit. Vetë kreu i qeverisë, u përpoq ta linte këtë përgjegjësi morale tek “dera” e republikanëve, kur argumentoi se kandidatura e Mediut i ishte servirur si një detyrim nga forumet e PR. Pra, turpi në fund të fundit, u mbeti atyre republikanëve që votuan kreun e partisë së tyre për një mandat deputeti. Me këtë vijë logjike, ku përgjegjësia morale e pushtetit në vend që ketë një drejtim ngjitës, zbret tek ai antari i thjeshtë i PR, jemi bërë të gjithë pak pis moralisht. Pra, të gjithë duhet të ndjehemi bashkëfajtorë për Gërdecin e ndoshta duhet të mbyllim edhe një sy përpara pezullimeve apo lehtësirave që Drejtësia i akordon liderit të partisë.
Për të dalë nga ky qerthull përgjegjësie ku na kanë futur pa dëshirën tonë “Kokat” e shtetit, për fatin tonë të mirë na vijnë në ndihmë rregullat e mirëpërcaktuara të këtyre dy shekujve të fundit të ndërtimit të demokracisë. Zgjedhjet e lira dhe respektimi i vullnetit të popullit, mbeten ende dhe sot themeli kryesor i ndërtimit dhe funksionimit të cdo demokracie, por sigurisht që vota e lirë nuk është kushti i vetëm për të sjellë lirinë. Ka shumë shembuj përgjatë historisë moderne, që dëshmojnë se vota e popullit, pra demokracia, shpeshherë mund të bëjë shaka të tilla në kurriz të lirisë. Vota e lirë e gjermanëve solli në pushtet në vitin 1933 Adolf Hitlerin dhe nazistët. Në të njëjtën mënyrë, janë votuar lirisht disa nga regjimet diktatoriale në Azinë Qëndrore pas luftës së Dytë Botërore dhe nuk është cudi që zgjedhje të lira mund të sjellin regjime radikale islamike edhe në ditët e sotme në vendet arabe. Në të gjitha këto raste, vota e lirë ka triumfuar, por demokracia nuk përkthehet gjithnjë në liri për një popull, nëse nuk do shoqërohet me kushtetueshmërinë dhe respektimin e pushteteve. Pra është pikërisht Drejtësia dhe kontrolli i dyanshëm mes pushteteve, ai që garanton që çdo mandatim elektoral të kthehet në liri dhe mirëqënie për votuesit. Suksesi dhe morali i qeverisjes, nuk i mbetet mbi kurriz votuesve, por atyre që janë ngarkuar për ta përdorur pushtetin.
Duke u kthyer në rastin tonë, z.Mediu mund të jetë votuar nga elektorati republikan, i cili ishte koshient për akuzat ndaj tij rreth tragjedisë së Gërdecit, por ky vullnet elektoral nuk mund të prevalojë mbi Kushtetën e këtij vendi, ligjet e së cilës detyrojnë një të pandehur që të përgjigjet deri në fund për akuzat ndaj tij.
Aq më pak përgjegjës moralisht duhet të ndihen qytetarët që ia kanë dhënë votën partisë republikane, kur njëkohësisht kanë mandatuar një kryeministër dhe automatikisht edhe presidentin e vendit, si garantorët e respektimit të pushteteve dhe normave që rregullojnë marrëdhëniet mes institucioneve.
Në Shqipërinë e këtyre ditëve të para të vjeshtës, debatet kryesore të çdo tavoline kafeneje e deri tek ai që zhvillohet në studiot televizive, amplifikojnë cdo ditë e më tepër mosbesimin ndaj politikanëve që na drejtojnë. Ata janë shkaku i gjithshkaje të keqe që ndodh, por një pjesë e fajit i hidhet edhe elektoratit që voton për të njëjtat figura të paafta e të përfshira në afera të pista. Rasti i emërimit të z.Mediu dhe shmangia nga përgjegjësia morale e atyre që e aprovuan, duhet të na shërbejë si shembull i gënjeshtrës që përpiqen të gëlltisim. Politikanët mandatohen nga ne, por është Drejtësia dhe institucionet e saj, ajo që duhet të na garantojë se ata nuk do të shpërdorojnë këtë pushtet të dhuruar. Për fat të keq, deri më sot, Drejtësia shqiptare vazhdon tw mbetet një shërbëtore e përulur e politikës. Për këtë arësye, zëri i shoqërisë civile dhe intelektualëve duhet të jetë gjithnjë e më i fortë për të mos lejuar që demokracia jonë të prodhojë korrupsion të mandatuar.

(SHSHSP ‘08)

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Pyetje liderit

Duke dashur që të sjellim sa më pranë vendimmarrësve, idetë dhe shqetësimet e studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, kemi menduar që të organizojmë disa kontakte online me liderë të ndryshëm të politikës shqiptare. Nëse dëshironi që të bëheni pjesë e këtij projekti, mund të na shkruani ne adresën: admin@politika.al. Gjithashtu, përzgjedhja e liderëve do të kryhet edhe mbi bazën e kërkesave tuaja.

Search

Me te lexuarat

  • No results available

Arkiva

number of visitors