Bojkoti i zgjedhjeve nga opozita

Sunday, October 18th, 2009 | tema e dites


adobe cs4 buy adobe software, autodesk softwarecheap software store

Pas refuzimit për të zënë vendet e saj në Kuvend, Partia Socialiste ka zyrtarizuar së fundi edhe mospërfshirjen në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Megjithë disa zëra kundër bojkotit brenda PS dhe këshillat e ndërkombëtarëve për t’iu rikthyer debatit parlamentar, opozita duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës së saj për hapjen e kutive të 28 qershorit, në emër të “mbrojtjes së demokracisë”. A mendoni se ky bojkot i zgjedhjeve, pra i demokracisë, është rruga e duhur?

1 Comment to Bojkoti i zgjedhjeve nga opozita

etase
25/10/2009

Koha punon kundër bojkotit

Vendimi i fundit i Partisë Demokrastiane për t’i kërkuar Prokurorisë nisjen e hetimit të procesit të numërimit të votave, iu kushtua vetëm pak rreshta në faqet e gazetave. Sigurisht, të paktë janë ata që besojnë se prokurorët do të kenë guximin e duhur për t’i shkuar deri në fund të vërtetës së madhe të 28 qershorit, por një veprim i tillë është shumë më serioz drejt arritjes së qëllimit final, sesa protestat në rrugë apo format e tjera të bojkotit që po praktikon prej më shumë se katër muajsh opozita shqiptare. Duke evituar cdo formë zyrtare apo ligjore për të detyruar zbardhjen e dyshimeve që rëndojnë mbi procesin e numërimit, Partia Socialiste dhe aleatët e saj, kanë zgjedhur të provojnë mbështetjen në bazë të tezës së tyre të bojkotit.
Por ndërsa siguron këtë aprovim plebishitar të antarëve të partisë, z.Rama nuk duhet të harrojë se as mitingjet në rrugë dhe as nismat e reja ligjore me firmat e qytetarëve, nuk mund të kenë fuqinë e duhur për të hapur kutitë e votimit të 28 qershorit. Konstitucionalistët e kanë shpjeguar tashmë publikisht se cdo ligj që mund të propozohet nga opozita ka fuqi prapavepruese, pra nuk mund të ndikojë mbi një proces që është realizuar përpara hyrjes në fuqi të tij.
Parë në këtë këndvështrim, edhe protesta e 20 nëntorit, ashtu si shumë të tjera që mund të realizohen para dhe pas kësaj dite, do t’i shërbejë më tepër kreut socialist për të shuar zërat kritikë brenda “vathës” së tij, sesa kauzës së vërtetë për të cilën janë thirrur. Përfshirja në këtë rrugë bojkoti pa patur një vizion të qartë të hapave që do të ndiqen më tej nga opozita për të realizuar plotësimin e kushtit kryesor, pra hapjen e kutive, nuk ndihmon aspak në arritjen e qëllimit. Deri më sot, na është bërë e ditur se zgjidhja e kësaj situate varet nga dëshira e kryeministrit, pikërisht nga dëshira dhe jo detyrimi i tij nëpërmjet rrugëve ligjore dhe parlamentare.
Por në këtë matje forcash, nuk duhet harruar një faktor mjaft i rëndësishëm sic është ai i elementit kohë. Opozita ndodhet në vendin dhe momentit e gabuar për të luajtur me lojën e bllokimit të aktivitetit parlamentar dhe si rrjedhojë edhe të reformës ligjore, pikërisht kur kjo reformë është kërkesa kryesore e Bashkimit Europian si kusht për liberalizimin e vizave dhe hapat e mëtejshëm për shqyrtimin e kërkesës së statutit të vendit kandidat. Misionet e ekspertëve europianë pritet që të nisin vëzhgimet e tyre në terren për vlerësimin e reformave, që në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Dhe që në këtë moment, nis edhe tik-taku së prapthi që do t’i shtojë presionet brenda dhe jashtë vendit për fundin e bojkotit dhe hyrjen në Kuvend. Pra, sa më shumë i afrohemi vitit 2010, aq më tepër koha punon kundër vendimit për bojkot. Ndërkombëtarët e kanë shprehur qartazi dhe njëzëri qëndrimin e tyre se e vetmja gjuhë proteste që ata njohin flitet në parlament.
Eshtë i vërtetë argumenti i z.Rama se liria e votës është më e rëndësishme se cdo hap i mëtejshëm integrimi, por nëse ai mendon se liberalizimi i vizave për shqiptarët duhet të shtyhet edhe për pak kohë derisa të sheshojmë problemet e demokracisë sonë, le t’ia thotë këtë shqiptarëve dhe të marrë kostot politike të këtij vendimi. Ka disa intelektualë sot në Ballkan që e kanë hedhur idenë se vendet tona nuk janë të gatshme si ekonomikisht ashtu edhe në kuadrin e respektimit ligjor, për të përqafuar të njëjtat standarte të vendeve të tjera të BE-së. Si rrjedhojë, ata hedhin idenë jo fort populiste se është më mirë që të pritet edhe pak për të rregulluar “shtëpinë nga brenda” përpara se të marrim turravrapin drejt BE-së dhe të mbetemi gjithnjë “delet e zeza”. Duke u kthyer tek “njolla e zezë” që është hedhur mbi procesin zgjedhor në Shqipëri, opozita do të kishte një shans të provonte (dhe kjo deri më sot nuk është arritur të faktohet bindshëm) përpara opinionit vendas dhe ndërkombëtarëve se manipulimi i votës, pra rrezikimi i demokracisë është një kosto më e madhe për vendin se vonesa e hapave integrues. Nëse arrin të marrë aprovimin popullor edhe për këtë qëndrim, opozita mund të ketë kurajon e plotë për të vazhduar bojkotin pa kufij kohore apo pa iu trembur presionit të ndërkombëtarëve.
Duke u bazuar në faktin se bojkoti nuk mund të zgjasë edhe në vitin 2010 pa marrë përsipër pasojat e vonesave të procesit të integrimit; faktin se cdo iniciativë e re ligjore nuk mund të ketë fuqi mbi zgjedhjet e mëparshme; si dhe faktin se mazhoranca nuk ka asnjë arësye për të hapur vetë kutitë nëse ato vërtet mbajnë brenda provat e manipulimit; e vetmja mundësi e hetimit të 28 qershorit duket se mbetet kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Edhe pse eficenca e deritanishme e këtyre komisioneve ka qënë pothuajse zero, kjo nuk ka ardhur si pasojë e mungesës së mekanizmave hetimore parlamentarë, por për shkak të lojrave politike apo në disa raste edhe mungesës së vullnetit politik për të finalizuar misionin e ngritjes së tyre. Neni 77, pika 2 i Kushtetës si dhe argumentimi i shumëpërfolur i këtij neni nga Gjykata Kushtetuese (vendimi nr.18, dt 14.05.2003), përcaktojnë qartë të drejtën e komisioneve parlamentare për të hetuar të gjitha “cështjet me interes publik”, ku sigurisht përfshihet edhe vota e lirë. Edhe pse nuk mund të rinumërojë votat e 28 qershorit, një komision hetimor i kryesuar nga opozita (ashtu sic ofroi si pakt kryeministri) do të ketë plotësisht të drejtë që të hulumtojë edhe njëherë të gjitha procesverbalet zgjedhore, të rishqyrtojë materialet filmike të numërimit të votave, por edhe të thërrasë si dëshmitarë komisionerët e zonave të nxehta. Deri më sot, PS nuk ka arritur që të bëjë publike qoftë edhe një dëshmi të ndonjë komisioneri të saj, i cili mund të provojë manipulimet gjatë procesit të numërimit. Nëse komisioni parlamentar do të arrijë të zbulojë prova të tilla dhe t’ia bëjë të ditur shqiptarëve dhe të huajve, presioni për të hapur kutitë apo edhe për hapa të mëtejshëm në kërkimin e zgjedhjeve të parakohshme, do të jetë më i bindshëm. Asnjë mazhorancë, qoftë edhe ajo e Berishës, nuk do të mund të rrëzonte prova të tilla. Atëherë, edhe ndërkombëtarët do të flisnin hapur për gotën gjysëm-boshe dhe do të kërkonin të sigurtë ndëshkimin e këtij manipulimi.
Derisa opozita të kuptojë se nuk mund të presë më tepër nga protestat e rrugës dhe të nisë të marrë në dorë fatet e saj, koha do të vazhdojë të punojë kundër saj.

Erjon Tase
(SHSHSP ‘08)

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Pyetje liderit

Duke dashur që të sjellim sa më pranë vendimmarrësve, idetë dhe shqetësimet e studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, kemi menduar që të organizojmë disa kontakte online me liderë të ndryshëm të politikës shqiptare. Nëse dëshironi që të bëheni pjesë e këtij projekti, mund të na shkruani ne adresën: admin@politika.al. Gjithashtu, përzgjedhja e liderëve do të kryhet edhe mbi bazën e kërkesave tuaja.

Search

Me te lexuarat

  • No results available

Arkiva

number of visitors