Politika në udhëkryqin e krizës

Friday, November 27th, 2009 | tema e dites

Bojkoti i parlamentit nga opozita dhe refuzimi për të rinumëruar kutitë e votimit, po e agravojnë cdo ditë e më tepër krizën politike që ka mbërthyer politikën shqiptarë që pas 28 qershorit. Gjithcka ndodh në momentet me delikate për proceset e integrimit në strukturat europiane duke e rrezikuar së tepërmi imazhin e vendit. Mungesa e dialogut ndërpartiak po bllokon gjithashtu edhe shumë reforma të nevojshme për sektorë që ndikojnë në përmirësimin e situatës ekonomike dhe sociale të gjithësecilit. Cilat mendoni se mund të jenë rrugët për gjetjen e një kompromisi politik për zgjidhjen e kësaj situate ?

5 Comments to Politika në udhëkryqin e krizës

marion
04/12/2009

Interesat individuale të politikanëve
Persa kohe politika shqiptare te dominohet nga figura te lidhura ngushte me interesat shume te forta individuale me karrigen qe zene; persa kohe ne politiken shqiptare te jene ne krye elemente qe jane koke e kembe te lidhur me menyren e vjeter autoritariste te te berit politike; persa kohe ne Shqiperi te mungoje nje shoqeri politike aktive, ku njerezit e perditeshem te ndihen me te pergjegjshem dhe te kuptojne se fatin per qeverisjen e kane ate ne dore dhe te shohin pertej militantizmit dhe te kuptojne qe duhet te ulerihet me te madhe sa here qe perdhosen te drejtat e tyre; persa kohe qe klasa e intelektualeve shqiptare, shoqeria civile, te jene me te pergjegjshem per funksionin qe kane brenda shoqerise dhe jo te shiten tek njera apo tjetra force politike…politika dhe shoqeria shqiptare do te ngelen perhere e me shume ne udhekryq.

admin
04/12/2009

Kurajë!

nga Sokol Shameti

Nga bjerrakohësi më i thjeshtë tek intelektuali më i ndërlikuar, gjithsecili në këtë vend e ka kuptuar tashmë në mënyrën e vet se prej tyre po kërkohet të ndiejnë frikë. Frikë nga trazirat politike, frikë nga një ‘97 e dytë, frikë nga marshi indietro, frikë nga dhuna policore, kallashët nëpër duar, terrori i bardhë, arrestimet, atentatet, gjendja e luftës civile, e gjithë ato të tjerat. Kjo është një ndjenjë kërcënimi e cila po injektohet në mënyrë të pamëshirshme, konstante dhe cinike, a thua ndjellësit e saj janë mjekë me grada shkencore, ndërsa masa së cilës i destinohet kjo gjendje janë kavie për motive eksperimentale. Gjithë çështja tani është nëse njerëzit e arsyeshëm të këtij vendi, do të pranojnë t‘i dorëzohen këtij shantazhi arrogant dhe të tërhiqen në gjeratoren thithëse të konsumit politik apo do të organizojnë qëndresën e tyre. Një rezistencë të fortë morale për të cilën ka sot kaq shumë nevojë që të zhvillohet në forumet e mendimit, faqet e publicistikës dhe kudo ku emocioni ka për detyrë t‘i ulet në gjunjë logjikës.
Përtej britmave luftarake, kanosjeve me shkulje dhëmbësh, hakërrimeve për escalation të situatës, guerilje urbane, thirrjen në ndihmë të figurave letrare nga Adolf Hitleri e deri te Mikhail Shakashvili, përtej atyre që dështimin personal kërkojnë ta kthejnë në përshpirtje evangjelizmi kombëtar, ka për mendimin tim, disa arsye pse kjo psikozë e re paniku nuk do të ngjisë në mendjen e shqiptarëve. Arsyeja kryesore është se ajo po gjenerohet nga njerëzit e gabuar. Liderët politikë të vendit, të cilët janë angazhuar në këtë fushatë frikësimi social, janë tashmë thjesht dy kokat simetrike të së njëjtës kartë të diskredituar bixhozi. Si një ndër nxitësit kryesorë të klimaksit pseudorevolucionar, Edi Rama, i cili deri para pak kohësh mund edhe të merrej si një krijesë kurioze dhe e pazakontë e politikës, tashmë s‘është gjë tjetër veçse “njëri prej tyre”. Ndaj për këtë arsye kuotat e tij kanë rënë ndjeshëm. Me një seri sjelljesh të tijat, si refuzimin violent për të pranuar humbjen, tutkallizimin mbi kolltukun e kryetarit të partisë apo eliminimin politik të kundërshtarëve, ai i ka dhënë gjatë këtyre muajve dorën kryesore transformimit të tij në krijesën e urryer që simbolizon sot në mendjen e shqiptarit të zakonshëm figura e politikanit tradicional. Nga ana tjetër, me sulmin e fundit banal ndaj Edi Ramës, Kryeministri i vendit dhe kryetari i partisë në pushtet i bëri atij edhe shërbimin e parë pas kaq kohësh. Edi Rama u certifikua dhe u njoh në këtë mënyrë si kundërshtari i tij legjitim. Një njeri që është sjellë sipas normave që pranon sot politika në Shqipëri dhe që meriton për këtë arsye t‘i jepet betejë. Fantazma e Fatos Nanos, apo orvatja e Ben Blushit quhen tani kapituj të mbyllur, rekluziviteti i gjatë, injorimi, tallja, mosmarrja seriozisht dhe karnevalizmi ndaj Edi Ramës mbaruan, dhe përmes një pagëzimi në baltë, ashtu siç e do zakoni i lashtë i politikës shqiptare, ai u emërua nga e djathta në postin e nderuar të armikut zyrtar të kryetarit. Ky shërbim kaq i shumëpritur që Sali Berisha bëri ndaj Edi Ramës duke kryer legalizimin e tij faktik si kryesues i opozitës, si dhe hyrja e këtij të fundit në mënyrë fare të parashikueshme dhe me dëshirë në lojën e gërr-mërrit, është në anën tjetër edhe një nga dëmet më të mëdha që ai nuk e kupton se sapo iu bënë imazhit të tij. Një imazh deri dikur interesant sepse kontroversial. Për shumë aparatçikë, xhaketa gri, kope partiakësh apo servilë fondesh/ ai tashmë mund të ketë fituar staturën definitive të shefit. Për miliona të tjerët që takimin me politikën e kanë një temë përherë e më të bezdisshme, ai është tashmë një gur më shumë në koleksionin e tyre personal të skepticizmit. Qindra mijëra të rinjtë apolitikë të këtij vendi - të cilëve edhe pse ai s‘i pati kurrë, të paktën mund t‘u zgjonte shkëndija të rralla interesi - ai i humbi përfundimisht dhe për këtë duhet t‘ia dijë për nder kolegut Berisha. Për këtë arsye, tromboni i rebelimit që Rama po sforcohet kaq shumë për t‘i fryrë ditët e fundit, do të kumbojë si një tingull i trashë, i vjetruar dhe komik për veshët e tyre. Ai nuk do të arrijë të zgjojë kurrë atë vrull përndezës, atë frymë “uprising” dhe atë efekt spektakolar që gjenitë e kreativitetit afër Ramës e kanë parë në youtube nga protestat e Otpor-it serb apo Pora-s ukrainase.
Këtu dalim vetvetiu te një arsye tjetër përse psikoza e frikës që po mundohen të mbjellin liderët politikë, nuk do të gjejë një truall miqësor në asnjë mendje tjetër përveçse atyre të militantëve të thekur. Kjo nuk është një frikë reale, por plagjiatura e një frike. Sikurse e gjithë platforma zgjedhore e Partisë Socialiste ishte një masë boshe e lyer me varak retorike impresionuese të kopjuar nga interneti (për të cilën tani madje edhe indinjohen pse nuk fitoi mbështetje), po kështu edhe metodat e marketimit të indinjatës, madje dhe indinjata vetë, janë një mall i importuar konsumi, tërësisht i huaj për shqiptarët. Deri para pak kohësh mund të ndodhte që të gjendeshin mjaftueshëm njerëz në Shqipëri që t‘u bënte përshtypje një fjalim i flaktë me figuracion të pasur. Por ja që shqiptarët e sotëm nuk janë më ata të dikurshmit dhe kërkesa e tyre është paksa më e lartë nga sa mendojnë shpërfillshëm ata që prodhojnë ofertën politike sot në këtë vend. Skepticizmi siç shkruante në një artikull të vetin Fatos Lubonja, mund të jetë veç të tjerash edhe ilaç. Nuk ka sesi të jetë gjenuine indinjata e lidershipit socialist për vjedhjen e votës dhe as kërkesa e tij për hapje kutish. Kjo është një kërkesë që nuk vjen aspak si një nevojë organike për demokraci, pasi nëse do të ishte e tillë do të kishte ardhur menjëherë pasi rezultati i zgjedhjeve tregoi se “politikës së re” i vodhën fitoren. Dhe vërtet, ndonëse nuk thuhet, ndihet ngërçi që kanë agjitatorët socialistë për të mobilizuar masat, të cilave është vështirë sot gjysmë viti pas zgjedhjeve t‘u thuhet se duhet të revoltohen që kryetari socialist të mos ndihet i vetmuar. Se ata duhet të shpenzohen si mish për top, pasi kryetari socialist që e hartoi vetë Kodin Zgjedhor, që e hartoi vetë barsoletën me programin 1000 faqësh për zgjedhjet të cilin askush nuk e pa kurrë, që i emëroi vetë komisionerët në qendrat zgjedhore, që i quajti këto zgjedhje si më të mirat në histori dhe që tani, pas larjes së hesapeve me çdo zë kritik brenda partisë, gjashtë muaj pasi këto zgjedhje mbaruan, deri edhe pas pushimeve verore siç thotë një mik sindikalist italian “abbronzato ed arrabiato”, kujtohet të ndihet i ofenduar.
Prandaj, skenat teatrale të Berishës nga foltorja e Kuvendit, janë dhurata më e mirë që njëra gjysmë e kartës së bixhozit i bën siamezit të vet. Janë thjesht një lojë mes dy ortakësh ku njëra dorë ndyn tjetrën në emër të një partneriteti të ri që duket se do të vazhdojë gjatë. Një partneritet të ngjashmish, që shqetësimin e vet real nuk ka aspak akuzat personale, por jetëgjatësinë e një sistemi të padrejtë që e ka katandisur Shqipërinë në vendin më të varfër, më të shfrytëzuar, më të korruptuar dhe më të padëshiruar të Europës. Një partneritet i cili kujdeset që ky sistem i paskrupullt ekonomik që i detyron fëmijët të shërbejnë si qentë e gjahut të të huajve, të mbetet pa opozitë. Dhe që politika të mos ofrojë kurrë një alternativë shprese, por thjesht spektakël televiziv me sharje nga “robt e shpisë”. Është koha kur shqiptarët të kuptojnë se nuk mund të trajtohen më si masa pa tru, se ka një atdhe për ata që nuk dorëzohen dhe se po rilind Shqipëria që refuzon shantazhin. Prandaj, kurajë!

(Botuar ne gazetën “Shqip”)

admin
09/12/2009

Kutia “e zezë”

nga Prof.As. Dr. Gjok Vuksani

Në momente të caktuara të zhvillimit historik të një vendi, politika e ditës nxjerr si argumente politike, ligje, veprime apo objekte që marrin një konotacion të veçantë, p.sh. Dushku, Gërdeci, tuneli, rruga, anëtari i KQZ-së etj. Edhe këto ditë sendi më i përdorur në zhargonin politik është kutia, të hapen, të mos hapen, cfare ka kutia etj., etj.

Pas humbjes së zgjedhjeve apo e thënë në gjuhë mëngjërishte, pas mos fitores së tyre nga PS-ja, kryetari i saj u akuzua nga të gjitha anët nga brenda partisë, nga anëtarët e koalicionit dhe nga analistët e të gjitha ngjyrave, që ai ishte fajtori, që ai ishte “humbësi i madh”.

Në këtë moment, ai kishte dy rrugë: ose të pranonte humbjen dhe të mbante mbi vehte të gjitha përgjegjësitë, ose të konvertohej në një lider të së majtës ekstreme, në mënyrë që të mos pranonte zgjedhjet, Parlamentin, që të mblidhte copat e elektoratit të shpërndara si mos më keq.

Zgjedhja e rrugës ekstremiste nga z. Rama solli rezultatet e para, mbështetjen nga baza më ekstremiste e PS-së dhe mbytja e zërave kundërshtues të Partisë Socialiste.

Por, ky ekstremizëm frytdhënës brenda strukturave ish-komuniste të PS-së po mundohet të implementohet edhe në politiken shqiptare.

Kështu, pasi u mendua për rreth 3 muaj me radhë, z. Rama një natë të nxehtë gushti në qendër të gjithë synimit politik vuri kutitë.

Zgjedhja e kërkesës së hapjes së kutive ishte shumë djallëzore dhe mendohet nga ata që në çdo version do të ishte avantazhuese.

Se pari n.q.s nuk do të hapen kutitë si pasojë e pamundësisë ligjore për të dalë mbi vendimin e gjykatave, socialistët do të thoshin se ata, pra mazhoranca ka frikë nga hapja e kutive, nga ajo që do të gjejnë brenda, nga manipulimi i madh etj., etj.

Për PS-në nuk ka rëndësi asnjë nga parimet bazë të së drejtës kushtetuese, si ndarja e pushteteve, vendimi i gjykatës si i formës së prerë etj.

Parimi i tyre është i thjeshtë: ose nxirr xhepat ose je hajdut.

Prandaj, dua të shpjegoj se kutia “e zezë” nuk ka të bëjë me ngjyrën e objektit, por me qëllimin, synimin e mbrapshtë që mendohet të arrihet nëpërmjet “gjësë”.

Së dyti, hapja e kutive, qoftë edhe me një numër të kufizuar, do të konsiderohej si një fitore nga ana e opozitës dhe miratim në heshtje i kauzës së tyre disamujore.

Pastaj, gjithë lufta e tyre politike do të mbështetej tek rezultati në kutitë e votimit. Sado i saktë të këtë qenë numërimi, nuk mendoj se ka ndonjë mendje racionale që mendon se rezultati do të jetë identik, se nuk do të ketë një ndryshim, qoftë edhe me 2 vota, sepse numërimi është realizuar nga njerëz dhe gabimi human është gjithmonë i pranishëm dhe këta humanoidë të besuar nga partitë kanë qëndruar të ngujuar për 3-5 ditë, duke numëruar, që e bën edhe më të mundshme mundësinë e një diference të vogël.

Kjo do të ishte më së e mjaftueshme për PS-në që të hidhte në erë gjithë procesin zgjedhor dhe mbarëvajtjen e qeverisjes së këtij vendi.

Kështu, projektimi i kërkesës për hapjen e kutive të votimit ishte një mendim “ogurzi”, me qëllimin e vetëm që të krijonte destabilitet në këtë vend dhe të faktorizonin veten politikisht.

Kutitë e zgjedhjeve në këtë moment më ngjajnë me “kutinë e zezë të avionit” nga ku kërkohet të nxirren zërat e të vdekurve.

Që nëpërmjet tyre të realizohet një “rrëmujë” institucionale, që epërmet tyre të realizohet vonimi i integrimit të Shqipërisë në Evropë.

Unë shpresoj se në opozitën shqiptare ka mendje racionale që nuk do të lejojnë lidershqipin e tyre që të përdorin kutinë “e zezë” për “të zezën” e Shqipërisë.
(Botuar ne gazetën “Standart”)

(SHSHSP ‘08)

etase
09/12/2009

Në pritje të negociatorëve të huaj ?

Padyshim që rruga e vetme për të dalë nga kriza në të cilën është futur politika shqiptare mbetet dialogu dhe gjetja e një konsensusi. Gjatë këtyre 19 viteve të fundit, politika shqiptare ka dëshmuar se ka qënë e aftë për të shkuar drejt situatave konfliktuale më thjeshtë sesa drejt një tryeze dialogu. Zgjidhja e konflikteve është gjetur më pas vetëm në afatet maksimale dhe sigurisht pas negocimit të diplomatëve të huaj që janë detyruar të marrin mbi shpinë një detyrë që nuk iu takon të kryejnë në një vend sovran dhe aq më tepër vend që pretendon të ulet i barabartë me ta në « sofrën » europiane.
Kësaj here, kriza politike shqiptare nuk rrezikon të bllokojë vetëm dialogun ndërpartiak apo reformat ligjore, por mund të dëmtojë në mënyrë të drejtpërdrejtë vetë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Që në javët e para të muajit janar 2010, pritet që të mbërrijnë delegacionet e para të Komisionit Europian, të cilat kanë për qëllim kontrollin e detyrave të lëna për zbatim në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Edhe pse zyrtarët shqiptarë përpiqen ta cilësojnë vetëm një cështje teknike (pasaportat biometrike dhe kontrolli i kufijve), sigurisht që vlerësimi i ekspertëve do të gjykojë edhe faktin që bojkoti i opozitës ka bllokuar reformën gjyqësore apo reforma të tjera të nevojshme për një vend që pretendon liberalizimin e procesit të vizave. Nëse një raportim i tyre do të jetë pozitiv, Komisioni Europian do të japë një vlerësim pozitiv në verën e ardhshme për vendin tonë. Në rast të kundërt, afati i liberalizimit do të shtyhet për vitin tjetër.
Pikërisht, tek kjo pikë, unë mendoj se të dyja palët e konfliktit do të detyrohen të gjejnë një zgjidhje të situatës duke i “lëshuar pe” njëra-tjetrës. Uroj që këtë herë zgjidhja të mos lihet për në minutën e fundit dhe gjithashtu që këtë herë të mos jetë e nevojshme që të detyrohet të zbresë në Tiranë dikush nga krerët e Brukselit për të ulur së bashku politikanët shqiptarë.

Erjon Tase

(SHSHSP ’08)

admin
12/12/2009

A duhet të qëndrojnë pasivë ndërkombëtarët?

nga Skënder Minxhozi

Kriza politike e kutive të 28 qershorit po arrin ngadalë majën e saj. Në fakt koncepti i majës në rastin konkret mbetet disi i mjegullt, në momentin që askush, me siguri edhe vetë shtabet politike në lojë, nuk e kanë të qartë se ç’pamje do të ketë pika kulmore e këtij sherri të nxehtë në mes të dimrit të butë shqiptar. Ajo që ne shohim sot për sot, është tendenca ashpërsuese e toneve, sharjeve, dhe sulmeve, të cilat tani i kanë tejkaluar plotësisht të gjitha limitet e njohura dhe të panjohura të dialogut dhe komunikimit politik në një sistem që formalisht njeh dominimin e ligjit mbi gjithçka.
Në këtë pazar tipik ballkanik (dhe shqiptar), pala e tretë, ajo që ka qenë e gjithëpranishme në njëzet vjetët e fundit dhe që ka vendosur në një masë të konsiderueshme fatin e ngjarjeve, po qëndron në heshtje. Bashkësia ndërkombëtare ka zgjedhur, të paktën në pamje të jashtme, të qëndrojë pasive në përplasjen pozitë-opozitë. Që nga 20 nëntori, kur opozita u derdh rrugëve, nuk ka thuajse asnjë deklaratë publike të përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë. Nga ajo datë, nuk dëgjohen më ftesat e përsëritura për ta futur opozitën në parlament, por as ndonjë mesazh çfarëdo, në lidhje me replikat ekstreme që Berisha dhe Rama shkëmbyen në orët që pasuan. Askush prej ambasadorëve apo rangjeve më të ulëta diplomatike, tepër të ndjeshëm për çdo dhunim apo kundërvajtje që ndodh në Shqipëri, nuk ka reaguar disi ndaj fjalës së kryeministrit në Kuvend, ku shau me çfarë i erdhi në mend familjen e kundërshtarit të tij, Edi Rama. Megjithëse është e pakonceptueshme që presidenti Sarkozi apo kryeministri Braun të venë në dyshim atësinë e fëmijëve të kundërshtarëve të tyre politikë, me sa duket edhe kjo gjë qenka e tolerueshme për Shqipërinë.
Berisha dhe Rama do të ulen një ditë rreth një tryeze. Kjo s’ka asnjë diskutim. Nuk është çështje zgjedhjeje, por është një rrugë me një drejtim, pa mundësi kthimi pas, për sa kohë që ata janë krerët e dy koalicioneve që janë të dënuar të qeverisin në Shqipëri. E meqë është po kaq e sigurt që kjo do të ndodhë pas një ndërmjetësimi ndërkombëtar (afërmendsh këta dy burra nuk ulen pa një arbitër), atëherë pyetja banale në dukje e njeriut të thjeshtë shqiptar është: Përse të mos ndërhyhet shpejt për të shuar një zjarr që mund të bëjë shumë dëme?! Përse ndërkombëtarët kanë zgjedhur të mos ushtrojnë fort dhe hapur presionin e tyre mbi palët, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme?
Ndoshta e gjitha kjo ka lidhje me faktin se diplomatët e huaj në Tiranë dhe kancelaritë që qëndrojnë pas tyre, po presin ende që opozita të ulë tonet dhe pretendimet, e t’i kthehet Kuvendit. Ndoshta perëndimorët gjykojnë vërtet se ky ambient mund të “mbajë” edhe më shumë tendosje dhe krizë brenda vetes. Ka shumë mundësi që edhe vetë të huajt, që shkojnë e vijnë në Shqipëri, të jenë mësuar që të na shohin vetëm në sherr dhe në prag të katastrofës.
Do të ishte dëshpëruese, nëse arsyeja e kësaj heshtjeje, tani që është momenti për të folur dhe vepruar, të ishte pikërisht kjo. Bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi të reja dhe të vjetra ndaj Shqipërisë dhe klasës së saj politike. Raporti i fundit i zgjedhjeve është njëra ndër këto përgjegjësi të prekshme, me ambiguitetin e tij, me frazat kontradiktore dhe formulimet e mjegullta, ku të gjithë aktorët politikë gjetën material për ta përdorur kundër njëri-tjetrit. Historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se krizat e harruara dhe të lëna pas dore në këtë vend, janë mahisur dhe kanë degjeneruar në konflikte të rrezikshme politike e sociale. Nuk e dimë nëse ky i tanishmi është një i tillë, porse premisat janë shqetësuese.

(Botuar në gazeta “Tema”)

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Pyetje liderit

Duke dashur që të sjellim sa më pranë vendimmarrësve, idetë dhe shqetësimet e studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, kemi menduar që të organizojmë disa kontakte online me liderë të ndryshëm të politikës shqiptare. Nëse dëshironi që të bëheni pjesë e këtij projekti, mund të na shkruani ne adresën: admin@politika.al. Gjithashtu, përzgjedhja e liderëve do të kryhet edhe mbi bazën e kërkesave tuaja.

Search

Me te lexuarat

  • No results available

Arkiva

number of visitors