I gjithë faji i sistemit zgjedhor?
Saturday, January 30th, 2010 | tema e dites
Sistemi zgjedhor që u aplikua në zgjedhjet e fundit parlamentare, proporcionali rajonal, po shihet nga një pjesë e mirë e spektrit politik si jo i përshtatshëm për kushtet e Shqipërisë. Aleati kyc i mazhorancës, LSI-ja, është shprehur vendosmërisht përpara zgjedhjeve kundër këtij sistemi, ndërkohë që ka gjithnjë e më tepër zëra brenda opozitës të cilët e shohin shkakun e humbjes tek përcaktimi i kësaj formule. A mendoni se sistemi zgjedhor ka ndikuar në situatën e sotme politike? A duhet të ndryshojë sërish ky sistem apo duhet të gjenden forma të tjera për të rifituar besimin tek procesi zgjedhor ?
3 Comments to I gjithë faji i sistemit zgjedhor?
Një kod i ri do të shtonte problemet
Unë jam dakord me ata politikanë që deklarojnë se fajin nuk e kanë sistemet, por mënyra si “keq”-përdoren ato (ndonëse kjo nuk i heq përgjegjësinë personale, personave qe duhej të kishin këshilluar partitë e tyre për mënyrën më efikase si përkthehet në vota cdo formulë). Për këtë arësye personalisht do të isha kundër ndryshimit të Kodit në këtë periudhë. Kjo sepse:
A) Kodi aktual ia arriti qëllimit për të eleminuar partitë fantazëm
B) Edhe një Kod elektoral si cdo reformë tjetër ka nevojë të testohet për të kuptuar defektet. Tani është koha të riparohen këto defekte, për t’i rritur eficensën dhe jo për t’ia nisur nga fillimi.
C) Nëse do të kishim në zgjedhjet e ardhshme një Kod të ri, atëherë jemi sërish përpara riskut që partitë të shpenzojnë më shumë se c’duhet energji për t’i gjetur “pikat e dobta” dhe “hilet përfituese”, se sa te fushata e vërtetë.
Karolina Risto
(SHSHSP ‘10)
02/02/2010
Partitë nuk pranojnë humbjen
Per mendimin tim, faji nuk qendron ne sitemin zgjedhor. Nese duhet te kete “faj”, ky duhet te kerkohet tek vullneti qe shprehin partite politike per ta respektuar me rigorozitet sistemin zgjedhor te pranuar nga ato perpara se te futen ne garen elektorale. Mendoj se politikanet tane duhet te pajtohen me idene se zgjedhjet jane nje loje politike, e cila luhet mes disa skuadrave dhe qe ne fund nuk mund te fitojne te gjithe, por do te kete fitues dhe humbes. Keto te fundit duhet te pranojne humbjen dhe te pregatiten per “ndeshjet” pasardhese. Por jo, tek ne kjo nuk ndodh por ajo qe zakonisht ndodh eshte: humbesi nuk pranon humbjen dhe gjithmone kerkohet faji tek sistemi zgjedhor, i cili nuk eshte gje tjeter vecse percaktimi paraprak i rregullave te lojes (politike) qe do te luhet.
Se fundi mendoj se pas nje fushate zgjedhore duhet te perqendrohemi me shume ne disa permiresime te sistemit zgjedhor (ne ato pjese ku mendohet se duhet te behen permiresime) sesa ne ndryshimin total te tij.
Ne kete menyre do te kemi konsolidim te sistemit zgjedhor (nuk do te jemi gjithmone ne situate eksperimentimesh) dhe per rrjedhoje do kemi gjithmone nje fitues i cili eshte qytetari.
Bilbil Keraj
(SHSHSP ‘10)
02/02/2010
“Lokomotiva e kryetarëve” përballë “trenit të partive”
nga Kastriot Islami
Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 u ndesh “treni prej 4 vagonësh” i PSSH me “trenin prej 15 vagonësh” të PD-së. Koalicioni i PD grumbulloi 34 mijë vota më shumë sesa Koalicioni i PS; kjo përbën një nga arsyet e suksesit të koalicionit të PD. Suksesi elektoral i një grupimi politik varet shumë nga mënyra, përbërja dhe performanca e koalicionit. Kjo u realizua me më pak sukses nga PSSH në 28 qershor 2009 dhe përbën një nga arsyet e humbjes së koalicionit të majtë përballë koalicionit të djathtë. Si paraqitet situata për të ardhmen…?
“Formati politik”, qe ka drejtuar opozitën ne veprimet jashtë kuvendore, ka në përbërje 8 përfaqësues/drejtues të partive politike që morën pjesë si subjekte elektorale në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Shtate prej tyre nuk janë individualisht në Kuvend dhe gjashtë prej partive të tyre (PSD, PDS,G99, PDK,PLD dhe të larguarit nga LSI) janë jashtë Kuvendit. Tre parti prej tyre (PSD, G99, PDS) ishin pjesëmarrëse në koalicionin “Bashkimi për Ndryshim” të drejtuar nga PSSH. Vetëm PSSH fitoi 65 deputetë dhe PBDNJ 1 deputet. Dy partitë e djathta janë PLD (0.3 % ) dhe PDK (0.9%),ku kjo e fundit ishte deri ne fund të mandatit 2005-2009 pjesë e maxhorancës qeverisëse. Asnjë prej partive aleate të PSSH, nuk ka fituar më shumë se 1.8 % të votave në shkallë kombëtare; gjë që do të thotë se edhe me një sistem proporcional kombëtar me prag 2.5 për qind, këto parti do të mbeteshin jashtë Kuvendit. Cilat janë tiparet e këtij formati dhe sfidat me të cilat do të përballet ky “format politik opozitar” në të ardhmen?
Sistemi zgjedhor defavorizon partitë e vogla…
PSSH e PD hartuan e miratuan me konsensus të gjerë sistemin zgjedhor, proporcional rajonal. Aktualisht, asnjë prej tyre, as PD dhe as PS nuk është shprehur për ndryshim të sistemit zgjedhor, bile PS ka lënë të kuptohet se është kundër ndryshimit të tij. Objektivi i dy partive kryesore ishte konsolidimi i sistemit politik. Zgjedhjet e 28 qershorit provuan këtë hipotezë, PS dhe PD do të merrnin së bashku 133 deputetë dhe LSI do të merrte 4 deputetë. Për rrjedhojë, nëse nuk do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor dhe/ose ndërtim koalicionesh të reja elektorale në zgjedhjet e ardhshme (qoftë edhe të përkohshme) ka shumë gjasa që asnjë nga partitë aleate të PSSH në përbërje të “formatit politik” të protestave të mos futet prapë në Kuvend. Sepse sistemi zgjedhor duke qenë ndërtuar pikërisht për këtë qëllim, i defavorizon ato…
Ndryshimet kushtetuese për Presidentin dhe Kryeministrin defavorizojne zgjedhjet e parakohshme…
Ndryshimet kushtetuese për mocionet e lidhura me Kryeministrin dhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, të konceptuara dhe miratuara me konsensusin PS-PD kanë reduktuar hapësirat për zgjedhje të parakohshme; sidomos me nismë nga opozita i bëjnë ato të pamundura. Logjika e këtyre ndryshimeve ka qenë sigurimi i stabilitetit politik, respektimi i mandateve të plota katër vjeçare të Kuvendit dhe stabiliteti i maxhorancës qeverisëse përballë një opozite solide. Kjo do të thotë se në kushtet e këtyre ndryshimeve kushtetuese “formati politik” opozitar e ka të pamundur të arrijë objektivin e zgjedhjeve të parakohshme në rrugë kushtetuese.
“Formatit politik” ka “zëvendësuar” forumet partiake…
“Formati politik” është ndërtuar për të krijuar perceptimin se një koalicion i madh politik drejton veprimin bojkotues e protestues opozitar për sigurimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është shoqëruar me mungesën e funksionimit normal të forumeve ekzekutive të partisë, mos konstituimin e grupit kuvendor e bojkotin e Kuvendit prej tij. “Formati politik” jashtëkuvendor jo rrallë ka marrë vendime për bojkotin e Kuvendit e protestat; ndërkohë që Asambleja e PSSH nuk ka diskutuar prej kohësh këtë çështje, kryesia e PSSH e grupi kuvendor i PSSH mbeten jashtë funksioneve. Qëllimi është evident: i) mbajtja e politikës jashtë institucioneve për të zhvendosur fokusin nga Kuvendi në rrugë; ii) bojkotim i Kuvendit nga deputetët e PSSH për të zhvendosur fokusin politik nga foltorja e Kuvendit në panelin apo tribunën jashtë Kuvendit dhe iii) mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme si e vetmja shpresë për t’u bërë deputetë.
Vështirësitë e partive aleate për tu rifutur në Kuvend …
Në kushtet e zgjedhjeve të përgjithshme, ne afatin normal apo të parakohshme, partitë aleatë të PSSH, me shumë gjasa, përsëri do të mbeteshin jashtë Kuvendit po të nisemi nga fakti se i) sistemi zgjedhor aktual i defavorizon ato; dhe ii) klima konfliktuale e radikale ndikon në rrudhjen/margjinalizimin e tyre të mëtejshëm. Kështu krahas rreshtimit të tyre përkrah PSSH për të siguruar zgjedhje të parakohshme këtyre partive/drejtuesve të këtyre partive do t’i duhet eventualisht të kërkojnë shumë shpejt e të bindin PS (ne radhë të parë) dhe më tej PD për të ndryshuar sistemin zgjedhor aktual dhe miratuar një sistem elektoral që ju garanton shanse me të larta për te fituar mandate kuvendore. Mund të kishte edhe një opsion tjetër: vetëm drejtuesit aleatë, individualisht, të futeshin nën “sqetullën” pra në listën e PSSH me koston e lartë të i) reduktimit të shumës së votave të këtij koalicioni dhe ii) të shkrirjes së partive të tyre. Ky opsion i fundit, që mund te quhej “lokomotiva e kryetarëve” do të ishte diametralisht i kundërt dhe fatal në “përplasjen” me taktikën e suksesshme të “trenit të gjatë të partive” që përdori PD me aleatët e saj në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Transformimi i “pamundur” i këtij “formati politik opozitar” në “koalicion elektoral të suksesshëm”….
Do të jetë gati e pamundur, që ky “format politik opozitar” të transformohet në një “koalicion elektoral të suksesshëm” në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, normale apo të parakohshme. Arsyet janë të shumta.
Së pari, ky format ende nuk e ka të qartë sesi do të përmbysë hendekun prej 110 mijë votave me koalicionin qeveritar, ku bën pjesë LSI me 83 mijë vota. Ky është një hendek që ruhet në këto përmasa prej disa vitesh dhe ka shumë gjasa të mbetet në të njëjtin rend madhësie apo edhe sikur të zvogëlohet, asnjëherë nuk do të bëhej zero apo të përmbysej. Kjo ndryshe shtron për tu zgjidhur i) çështjen e aleancës se PSSH me LSI apo ii) të “absorbimit” të plotë të 83 mijë votave të LSI, që duket i pamundur. Dinamika elektorale e LSI dhe e aleatëve të saj është komplekse dhe varet shumë nga i) jetëgjatësia e koalicionit PD-LSI; ii) perceptimi nga grupimet elektorate në LSI i qeverisjes aktuale, iii) dinamika e marrëdhënieve PS-LSI dhe iv) dinamikat e brendshme në PS e të aleancave të saj.
Së dyti aleatët e PSSH do të kërkojnë të zgjerohen në kurriz të PSSH, duke zvogëluar mandatet e saj përmes “negociatave në tavolinë”, thjesht për interesat individuale të personazheve që “drejtojnë” këtë format por me efikasitet të dyshimtë në grumbullimin e votave të koalicionit.
Së treti ky “format politik” mund të përdoret për të goditur direkt apo indirekt demokracinë e brendshme në PSSH, duke eliminuar të gjithë kundërshtarët, duke çuar në rrudhjen apo edhe çarjen e PSSH.
Përmbledhtas mund të thuhet se ky “format politik opozitar” do të mund të drejtonte formalisht e pa asnjë sukses bojkotin dhe/ose protestat e PSSH por do të rezultonte shumë problematik e i pasuksesshëm për t’u transformuar në “koalicion elektoral” në zgjedhjet e ardhshme kuvendore për shkak të i) keqkuptimeve midis aleatëve dhe PSSH për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ii) shanseve të ulëta për maksimalizimin e votave të koalicionit të ardhshëm elektoral, iii) pamundësisë së gjetjes së një zgjidhjeje optimale midis futjes së këtyre personazheve në Kuvend dhe shkrirjes se partive të tyre, iv) tensioneve në PS për shkak zvogëlimit të mandateve të saj, pra të potencialit të saj qeverisës; v) mungesës së një strategjie të bashkëpunimit të së majtës dhe të tejkalimit të sherreve që kanë prodhuar hendekun e 110 mijë votave që ky koalicion duket se ka pak gjasa ta kapërcejë dhe vi) të mungesës së një filozofie gjithëpërfshirëse në PS dhe eliminimit të kundërshtarëve politikë.
Sfidat për realizimin nga PSSH e kërkesave të aleatëve të saj….
PSSH duket deri tani se nuk do të pranojë të ndryshojë sistemin zgjedhor. Në këto kushte aleatët e mirëkuptuar për bojkotin dhe zgjedhjet e parakohshme do të ballafaqohen me dy sfida ose 1) të përballen/mirëkuptohen me PSSH për të bërë ndryshimin e sistemit zgjedhor që ju garanton futjen ne Kuvend ose 2) të mirëkuptohen për tu vendosur në pjesën e sigurt të listës së PSSH në rastin e një koalicioni klasik. Duke patur parasysh se opsioni i parë deri tani duket i përjashtuar nga PSSH, mbetet për tu diskutuar opsioni i dytë që do të ishte vetëvrasës nga pikëpamja elektorale. Por shumë gjasa ka që aleatët aktualë, tërësisht apo pjesërisht, e gradualisht të mërziten me PSSH sepse ajo do ta ketë shumë të vështirë, por të mos thënë të pamundur ti garantojë të gjithë aleatëve edhe opsionin e dytë sepse ky do të ulte ndjeshëm suksesin e fitores. Ka edhe një mundësi që PSSH të aplikojë të njëjtin model si PD por në këtë rast asnjë prej këtyre partive (ndoshta përveç PSD) të mos kishte asnjë shans të futej në kuvend. Për rrjedhojë duke ecur në këtë rrugë të paqartë dhe pa marrëveshje, shumë pak kohë para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme (normale apo të parakohshme) marrëdhëniet midis aleatëve të “formatit politik” do të rikthehen në ato të para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 ndoshta edhe më të tensionuara.
.. Disavantazhet e vendosjes së individëve/aleatëve në listën e përbashkët të PSSH….
Opsioni i futjes së individëve aleatë në listën e PSSH ka një sërë vështirësish dhe disavantazhesh. Në pamje të parë mund të duket një punë e lehtë krijimi i 7-12 vendeve për “drejtuesit e panelit aktual të bojkotit dhe të protestave” në pjesën e sigurt të listës së PSSH përderisa Rama nuk ka asnjë pengesë për ta bërë listën ashtu si të dojë. Disa nga disavantazhet do të ishin:
Së pari nëse këto 7-12 individë do të përfshihen individualisht në listën e kandidatëve të PSSH dhe nuk kujdesen për drejtuesit e tjerë të partive të tyre kjo do të shoqërohej me shkatërrimin e partive të tyre dhe për rrjedhojë sasia e votave që ata do ti sillnin listës së PSSH do të reduktohej; kjo është njëlloj si të bësh diametralisht të kundërtën e “trenit të madh të koalicionit” që bëri Berisha me aleatët e tij në 28 qershor 2009, pra të futësh në një “lokomotivë kryetarët, partitë e të cilëve do të shkriheshin”, të cilët do të kërkojnë më tej të futen eventualisht në qeveri (nëse do të fitohej ndonjëherë në këtë rrugë)?!.
Së dyti për shkak të këtij efekti por edhe nga fakti që në këtë lloj koalicioni klasik që do të ndërtonte PSSH do të futeshin të gjithë, si të majtë ashtu edhe të djathtë, “të veshur me të njëjtën bluzë” me siguri shuma e votave të siguruara do të ishte më e vogël sesa votat që do të grumbulloheshin në opsionin e koalicionit të përbërë që aplikoi Berisha në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Së treti, kjo do të thoshte se, edhe në rastin e një fitoreje të zgjedhjeve, PSSH së bashku me futjen në kuvend të këtyre individëve do të ishte e detyruar “me negocim nën tavolinë” të formatonte edhe qeverinë e ardhshme sepse do të ishin pikërisht të gjitha votat e tyre që do të duheshin për të miratuar qeverinë e ardhshme. Pra, qeveria e ardhshme në këtë opsion do të ishte detyrimisht një qeveri koalicioni e këtyre 7-12 individëve.
Së katërti, tensionet në PSSH për shkak të reduktimit të numrit të deputetëve fitues nga numri aktual prej 64 do të rriteshin, ndërkohë që ky opsion ul ndjeshëm mundësinë e fitimit të zgjedhjeve nga njëra anë dhe do të prodhonte në rastin më të mirë qeveri koalicioni ku çdo njëri nga 7-12 individët jo socialistë do kishte në dorë fatet e qeverisë.
Së pesti, të gjithë të pakënaqurit nga aplikimi i kësaj skeme do të çonin në rindarjen e PDK dhe largimin e të gjithë atyre që kishin kontribuar në PLD.
Në këtë kontekst transformimi i këtij “format politik opozitar” në një “koalicion elektoral të suksesshëm” është pothuajse i pashpresë nëse PSSH synon fitimin e zgjedhjeve të ardhshme. Pyetja përse Berisha arriti të formonte me sukses “koalicionin e djathtë/trenin e gjatë të suksesit” në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe Rama nuk do të arrinte dot ta bënte një gjë të tillë ka përgjigje shumë të thjeshtë. Koalicioni i djathtë i 16 partive ishte një koalicion elektoral partish, me drejtues modestë dhe pa pretendime të mëdha për tu bërë deputetë por thjesht koalicion për grumbullim votash në çdo cep të vendit, prandaj “treni i gjatë i partive me kryetarë modestë” është i mundur. Kurse koalicioni i ardhshëm i drejtuar nga PSSH që me shumë gjasa do të lindte nga transformimi i “formatit politik opozitar” është më shumë “lokomotivë kryetarësh që duan të bëhen domosdoshmërisht deputetë..”e më tej dhe/ose ministra, pra Rama me ta mund të ndërtojë vetëm “lokomotivë kryetarësh”. Ky është thelbi përse i njëjti model nuk funksion me të njëjtin nivel suksesi me PS dhe PD. Dhe mbi të gjitha, PD ka zgjidhur relativisht (më mirë sesa PSSH) dy probleme (ndonëse në mënyrë autoritare) i) integrimin dhe hierarkinë e brendshme të vlerave/kontributeve/brezave; ii) përcaktimin e forcave politike kryesore e dytësore aleate dhe integrimin e tyre hierarkik në formulën qeverisëse.
Në vend të përfundimit…
Në këtë rrugë pa strategji dhe marrëveshje të qartë vështirësitë e “formatit politik opozitar” do të jenë të shumta për të mos thënë të pakapërcyeshme. Përplasja fillestare do të jetë për ndërprerjen e bojkotit. Me futjen eventuale të PSSH në Kuvend, aleatët në këtë format do të ndërgjegjësohen shumë shpejt se fati i tyre në zgjedhjet e ardhshme do të jetë pothuajse i njëjtë me atë të 28 qershorit 2009 nëse i) sistemi zgjedhor nuk ndryshon ashtu siç e dëshirojnë ato ii) dhe/ose nuk bëhen pjesë e listës së PSSH gjë që ka gjasa të mos ndodhë sepse kjo do të ulte ndjeshëm shanset e fitores së këtij koalicioni. Por edhe nëse sistemi zgjedhor sipas kërkesave të aleatëve të PSSH atëherë i) PSSH nuk do të arrinte në asnjë rast të kishte më shumë se 54-56 deputetë; ii) asaj do t’i duhej të qeveriste me 7-9 aleatë dhe iii) LSI në çdo rast do të zotëronte çelësin e formimit të maxhorancës. Nga ana tjetër, nëse të gjithë aleatët e majtë futen në listën e PSSH, kjo do të favorizonte maksimalisht PD në ndërtimin e “trenit të gjatë të partive të vogla dhe me kryetarë me pretendime modeste” përballë PSSH të paraqitur vetëm me një listë si një “lokomotivë kryetarësh ambiciozë, që do të mbeteshin pa parti” ku do të futeshin të gjithë individët aleatë. Duke patur parasysh se asnjë nga këto opsione nuk garanton sukses elektoral, gjasat që të ndodhë njëri nga këto opsione janë pothuajse zero. Në rastin kur asnjë nga këto opsione nuk ndodh, atëherë PSSH do të përballet me një vështirësi akoma më të madhe se në 28 qershor 2009. Marrëdhëniet me aleatët do të jenë më të përkeqësuara se në 28 qershor 2010.
Zgjidhja nuk mungon….
Ka një zgjidhje; jo e vështirë për tu konceptuar por jo e lehtë për tu negociuar e miratuar. Kjo zgjidhje e ndërmjetme kalon përmes disa ndryshimeve inteligjente të sistemit zgjedhor. Zgjidhja nuk mund të ndërtohet në këtë lloj klime tensioni politik dhe me qëndrimin jashtë Kuvendit të opozitës që ka dimensionin më të madh në këto 18 vjet demokracie. Nëse PSSH nuk arrin të gjejë zgjidhjen inteligjente dhe mënyrën e përshtatshme të formatimit për çështjen e koalicionit zgjedhor, kjo për shkak edhe të asimetrisë së përbërjes së koalicioneve e të sjelljes së aleatëve përkatës, përkatësisht të PS e të PD, në zgjedhjet e ardhshme suksesi relativ i PD ndaj PS, vetëm nga faktori-koalicion, do të jetë shumë më i madh se në 28 qershor 2010….
(Botuar në gazetën “Panorama”)
Leave a comment
You must be logged in to post a comment.
Pyetje liderit
Search
Komentet e fundit
- etase on Kriza politike dhe lëvizja e lirë
- admin on Protesta dhe kriza ekonomike
- anila_2010 on Radikalizimi i protestës së opozitës
- etase on Radikalizimi i protestës së opozitës
- Edlira Gjoni on Protesta dhe kriza ekonomike
Me te lexuarat
- No results available


01/02/2010