Negociatat dhe rihapja e kutive
Thursday, February 4th, 2010 | tema e dites
Presidenti i Republikës ka zyrtarizuar vullnetin e tij për të negociuar në zgjidhjen e krizës politike. Një rol që nuk duket aspak i lehtë duke patur parasysh që asnjë nga palët nuk ka shfaqur deri më sot ndonjë shenjë tolerimi mbi “thembrën e Akilit”, rihapjen e kutive të votimit. Në të njëjtën pozitë të vështirë duket se do të gjenden edhe ndërkombëtarët, të cilët janë përfshirë kësaj here përkundër dëshirës së tyre në mosmarrëveshjet e brendshme të politikës shqiptare. Cili mendoni se mund të jetë fati i këtyre negociatave dhe si mund të gjendet një zgjidhje që të kënaqë të dyja palët?
9 Comments to Negociatat dhe rihapja e kutive
Keto negociata nuk do zgjidhin perfundimisht krizen
Negociatat do te cojne ne futjen e Partise Socialiste ne parlament para dates 4 (apo 7 Mars), sa per te mos djegur mandatin. Pastaj deputetet e Rames do bejne serish gjashte muaj pushim duke kerkuar te hapen kutite, po te pakten, ne kete rast, do marrin edhe rrogat (se do jene betuar t’i sherbejne zgjedhesve duke miratuar ligje).
Si mund te gjendet nje zgjidhje qe te kenaqe te dyja palet?
Duhen renditur disa kushte, jo vetem nga nje prej seciles. E nese renditen 7 te tilla e marreveshjet arrihen ne 5 per secilen, serish jemi ne win-win situation. Pikat mund te vertiten te gjitha edhe tek kutite apo zgjedhjet, po jo te jete shkruar shtate here me fonte te ndryshme shkrimi “te hapen kutite” apo “Futuni ne Parlament”.
Kurse zgjidhja perfundimtare, per te majten vjen kur te zgjidhet kryeminister Rama, kurse per te djathten, kur te shpallet perandor Berisha!
Edlira Gjoni
(SHSHSP ‘08)
05/02/2010
Numërim i pjesshëm, garanci për të dy forcat
Për herë të parë, të dyja krahët e politikës e kanë pranuar publikisht se duhet të gjejnë së bashku një zgjidhje për bojkotin institucional të Opozitës. Një bojkot që vazhdon prej më shumë se 7 muajsh, duke bllokuar jo vetëm dialogun politik për reformat institucionale, por rrezikuar seriozisht edhe hapat e integrimit europian të vendit.
Por, deri më sot, asnjë nga liderët që do të ulen në tryezën e negociatave presidenciale, nuk ka treguar as më të voglin lëshim në drejtim të të shumëdiskutuarit proces të rinumërimit të votave. A mund të pranojë z.Berisha dhe aleati i tij kryesor, z.Meta, që të hapen kutitë nëse vërtet brenda tyre do të zbulohen parregullsi, të cilat mund të rrezikojnë pushtetin 4-vjecar të kësaj mazhorance ? Sigurisht, që kjo do të jetë tepër e vështirë për t’u arritur sado negociata që mund të kryejnë ndërkombëtarët apo Presidenti. I njëjti ekuacion i vështirë, duket edhe ai i uljes në Kuvend të Opozitës pa hapjen e kutive. Nëse do të pranojë një veprim të tillë, z.Rama do të forcojë zërat kundër tij, të cilët e lidhin bojkotin 7 mujor të PS me një aventurë të tij personale për të mos dhënë dorëheqjen.
Në këtë pikë, e vetmja zgjidhje e mesme, që i nxjerr të dyja palët të « nderuara » nga lëshimi i pozicioneve të 7 muajve të fundoit, do të ishte një rinumërim i pjesshëm i kutive. Pra, përzgjedhja me anë të një shorti e disa kutive për cdo zonë votimi, në mënyrë që të kryhet një depistim i përgjithshëm i objektivitetit të procesit të numërimit.
Ky proces i numërimit të pjesshëm, garanton të dyja palët se :
-mazhorancën, se nuk do të ketë një ndryshim të përgjithshëm të rezultatit
-opozitën, për faktin se do të arrijë të fitojë betejën për hapjen e kutive, qoftë edhe jo në të gjitha qendrat. Lidershipi socialist është shprehur deri më sot se do të mjaftohet vetëm me zbulimin e parregullsive dhe nuk do të kërkojë ndërprerjen e mandatit të qeverisë.
Në fund të fundit, paktet ndërmjet dy qëndrimeve të ndryshme, sjellin sukses vetëm nëse të dyja palët tolerojnë dicka nga synimet e tyre.
P.S. Të urojmë që skenari me perandor i Edlirës të mos realizohet
Erjon Tase
(SHSHSP ‘08)
05/02/2010
Tryeza nuk do te kete sukses
Mendoj se tryeza qe do te organizohet nga ana e Presidentit te republikes z. Topi, nuk do te zgjidhe krizen politike ne te cilen ndodhet sot vendi yne. Zgjidhje e krizes do te thote hapje e kutive ( dmth humbje e pushtetit te Sali Berishes dhe PD ) ose mos hapje e kutive ( dmth hyrje ne parlament e PS pa u plotesuar kushti i saj, dmth humbje e Edi Rames dhe e PS ). Asnje nga palet duket se nuk e pranon humbjen dhe per kete arsye mendoj se tryeza nen drejtimin e Presidentit Topi nuk do te sjelle nje zgjidhje konkrete. Bisedimet do jene te veshtira, te dyja palet mund te bien dakord per te gjitha ceshtjet e tjera qe do shtrohen ne tryeze, por ato nuk do bien dakord per ceshtjen kryesore, hapjen e kutive, megjithe presionin e nderkombetareve. Mundesia me e madhe eshte qe pas tryezes se deshtuar te rifillojne protestat e opozites, te nxitura edhe nga nje ceshtje e nxehte qe do shfaqet menjehere pas perfundimit te bisedimeve : heqja ose jo e mandateve te deputeteve te PS ne momentin e kalimit te 6 muajve nga dita e fillimit te punimeve te Parlamentit.
Protestat dhe perkeqesimi i situates se funksionimit te institucioneve dhe kriza ekonomike, mund te cojne ne nje zgjidhje te detyruar.
05/02/2010
“LOJA E LODHJES”
Politika shqiptare në këtë fazë ka hyrë në një moment interesant (nëse ka ende hapa interesantë në këtë politikë ezauruese, që duket se nga dita në ditë lodh jo vetëm ata që e sodisin por edhe vetë politikë-bërësit).
Më në fund monotonia e bojkotit nga njëra anë dhe akuzat për mungesë patriotizmi nga ana tjetër kanë marrë një impuls. Të dyja palët po përgatiten për negociata. Dhe pikërisht në këtë moment duket sikur as PD dhe as PS nuk kanë lëvizur nga pozicioni i tyre.
Por ky është vetëm fillimi…
Palët në këtë “luftë” po masin mirë me sy njeri tjetrin që të hidhen në sulm. Akoma më e fortë do të bëhet përplasja në ditët në vijim. Akuzat do të shtohen. Natyrisht edhe kundërakuzat. Dhe e gjitha kjo me një qëllim të qartë që të gjithë opinionbërëset (kryesisht mediat) të kontribuojnë për të krijojuar një klimë shqetësimi në ajër. Qëllimi I të dyja palëve në këtë “lojë” është I njëjtë. Çdonjëra prej tyre synon të bindë tjetrën se “e ka seriozisht”:
- PS nuk hyn në tryezë për qëllim tjetër veç hapjes së kutive
- PD hyn në tryezë për të plotësuar cilëndo kërkesë veç hapjes së kutive.
Dhe qëllimi i lojës duket qartë. Çdonjëra palë synon të lodhë tjetrën për të arritur më pas te kompromisi i artë. Një kundërshtar sa më I lodhur të jetë aq më pak territory (kuti) do të mundet të pushtojë (PS) ose të shpëtojë (PD).
Dhe gjithë kjo analizë nuk është parashikim fallxhorësh, por paralajmërim I diplomatëve që e njohin mirë mënyrën si funksionon politika. Eshtë paralajmërimi që dha Raporteri I Këshillit të Europës për Shqpërinë., Jaakko Lakso, në një intervistë për BBC të pak ditëve më parë ku shprehej: Ne jemi të shqetësuar se kjo krizë politike në Shqipëri MUND TË ACAROHET.
E keqja e gjithë kësaj luftë nervash që mund ta quajmë “loja e lodhjes”, është se negociatat për negociata ka gjasa të zgjasin shumë.
Ndërsa e mira, është se të paktën në “përballjen e gladiataorëve” lufta nuk do të jetë shumë e përgjakshme.
Shumë pak kuti do të “bëhen kurban”, në mënyrë që të dy gladiatorët e skeneës politike shqiptare ti meritojnë në fund duartrokitjet e fansave të tyre. Ndoshta disa kuti do të hapen, që kryesocialisti Rama ta fusë “me nder” grupin e tij parlamentar në kuvend. Dhe ky do të jetë momenti kur kryeministri Berisha do të mbetet pak zemërthyer. Por pjesa dërrmuese e votave të shqiptarëve do të mbetet e palëvizur në tunelet e Rezervave të Shtetit ku janë strehuar prej kohësh, për tu djegur pas pak muajsh së bashku me këtë episod të gjatë zgjedhjesh. Episod që për hir të së drejtës ka mbetur besnik I traditës shqiptare për votime të gjata, të lodhshme, me polemika të stërgjata, që në fund sjellin rezultatin më pak të dëshiruar: vitin e ardhshëm numër më I vogël shqiptarësh që dëshirojnë të thonë fjalën e tyre nëpërmjet votës.
Karolina Risto
(SHSHSP ‘10)
08/02/2010
Zgjidhjen, kete here jo nga nderkombetaret
“Mos e lodhni mendjen nëse gota juaj është gjysëm plot apo gjysëm bosh. Fajin e ka kamarieri, që ju ka shërbyer një gotë më të madhe sesa nevojitet për pijen tuaj.”
Kjo anekdotë më kujtohet sa herë që ndërkombëtarët përsëritin shembullin e “gotës gjysëm bosh dhe gjysëm plot” për të vlerësuar proçeset zgjedhore apo zhvillimet e tjera të demokracisë shqiptare.
Sigurisht që ambasadorët e huaj nuk mund të shkojnë më tej normave të etikës diplomatike në vlerësimet e tyre për pjekurinë e politikës sonë. Ata nuk mund të thonë hapur nëse u ka ardhur në “majë të hundës” me grindjet fëminore të “baballarëve të kombit”, të cilët po e shtyjnë gjithnjë e më tej kufirin e zgjidhjes së krizës politike që mban në ngërç vendin prej plot shtatë muajsh. Edhe pse presidenti Topi ka marrë mbi shpinë misionin e negociatorit dhe të dyja kampet janë shprehur publikisht të gatshme për bisedime, deri më sot nuk ka asnjë shenjë se këto bisedime do të shkojnë drejt një dialogu normal rreth çështjes së nxehtë të hapjes së kutive të votimit. Ndërsa lideri i opozitës proklamon krijimin e frontit të protestave, kryeministri deklaron pa asnjë mëdyshje se nuk do të ketë asnjë ndryshim të vendimit të gjykatës, pra hapje të kutive.
Nuk është çudi që këto deklarata në distancë, të vazhdojnë derisa disa ekspertë europianë të lënë zyrat e tyre të ngrohta në Bruksel e Strasburg dhe të mbërrijnë në Tiranë. Në fakt, këta të dërguarit e Europës, i quajnë ekspertë në selitë europiane, por në fusha të tjera. Nuk besoj se ka ndonjë të punësuar në zyrat e Bashkimit Europian apo Këshillit të Europës, i cili mund të shkruajë në CV-në e tij se është ekspert për “uljen në një tryezë” të liderëve të mazhorancës dhe opozitës së një vendi tjetër. Por duket se në 22 shkurt, ekspertët e Strasburgut, do t’u duhet të marrin përsipër edhe këtë detyrë të re në karrierën e tyre. Me fjalë të tjera, ndryshe nga sa mendohet në Shqipëri, ndërkombëtarët që pritet të gjejnë zgjidhjen për bojkotin e opozitës, nuk kanë në dorë asnjë “çelës të artë” që mund të shkrijë ngërçin e krijuar deri më sot. Nëse kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës z.Rama, nuk do të kenë vullnetin e duhur për të lëshuar diçka nga qëndrimet e tyre, (mungesën e të cilit na e kanë theksuar me mjaft forcë këto ditë), edhe këto bisedime rrezikojnë të jenë pak të frutshme.
Duke parë këtë kryeneçësi të liderëve tanë dhe në anën tjetër preokupimin e ambasadorit plot iniciativë spanjoll z.Montobio, i cili shfaqet herë në zyrën e Ramës e herë në atë të kryeministrit, të krijohet bindja se është Europa dhe misionarët e saj që rrezikojnë të humbin diçka në rast se kriza politike shqiptare nuk do të gjejë një zgjidhje. Duket sikur nëse nuk do të ishte për të huajt, opozita do të vazhdojë protestat në rrugë sapo të ngrohet pak koha në mars, ndërsa mazhoranca do të jetë më e fituar pasi do të ngrejë e qetë kartonët në parlament pa zërin gërvishtës të Erion Braçes në sfond apo bilbilat e sportdashësit Bashkim Fino. Për fat të keq, këtë logjikë groteske, po përpiqen të na e ushqejnë oborret e të dyja partive të mëdha, jo vetëm si një shfajësim për situatën ku ka rënë vendi, por edhe si një argument për të fituar kredo politike.
Në këtë kontekst, mund të argumentohet ndoshta përgjigjja që jepte njëri prej drejtuesve socialistë në një emision televiziv. I ndodhur përballë akuzës së gazetarëve të ftuar në studio, se bojkoti i opozitës po rrezikonte proçesin e liberalizimit të vizave, deputeti socialist argumentoi me pak fjalë se: ne (Shqipëria) nuk jemi të gatshëm për liberalizimin e vizave, por partnerët tanë europianë nuk do ta vonojnë më tej proçesin për shkak të vullnetit të tyre të mirë dhe zotimeve që kanë marrë…” !!!
Këtë përgjigje mund ta ndeshësh gjithnjë e më shpesh së fundi jo vetëm nga politikanët, por edhe në tryeza intelektuale që orvaten të prodhojnë leksione për hapat integrues të Shqipërisë. Nëse do të vazhdojmë të jemi të papërgjegjshëm për detyrat tona, dhe do të presim të hyjmë nga dera e pasme e BE-së, do të vazhdojnmë të jemi gjithnjë “dele të zeza” në standartet e familjes europiane. Duke u rikthyer edhe njëherë tek anekdota e “gotës gjysëm bosh apo gjysëm plot”, nuk duhet t’u japim të drejtë atyre që mund të mendojnë se këto standarte demokracie dhe zhvillimi europian, janë një gotë më e madhe se ç’mund të na nevojitet për momentin.
Erjon Tase
(SHSHSP ‘08)
12/02/2010
Historia e nje mesimi
Besjan Pesha
Unë e mbaj mend shumë mirë momentin që Edi Rama hyri rishtaz në politikën shqiptare. Imazhi i tij u pompua aq fort nga propaganda qeveritare e asaj kohe, saqë brenda një periudhe shumë të shkurtër emrin dhe figurën e tij filluan ta belbëzonin një pjesë e mirë e shqiptarëve. Sigurisht që të gjithë ata që e kanë ndjekur me vëmendje ngritjen e Ramës në skenën politike kanë kuptuar se një dorë e fortë e mbante gjithnjë nga xhaketa, duke u kujdesur që të ecte në rrugën e duhur. E njëjta dorë e fortë që e kandidoi për kryetar bashkie dhe që i mundësoi më pas edhe marrjen e Partisë Socialiste, dora e Ilir Metës.
Ishte po Ilir Meta që në vitin 2007 mbasi i ofroi një bashkëpunim pothuajse pa kushte për zgjedhjet vendore, duke pasur shqetësimin e vetëm fitoren e të majtës në zgjedhje, i mundësoi Ramës zgjedhjen rishtazi si kryetar i Bashkisë. Edhe mbas atyre zgjedhjeve problematike, Meta sërish vazhdoi t’i qëndronte koalicionit, siç i thonë për llaf burri, edhe pse asnjë prej pikave të marrëveshjes që ishte bërë për bashkëpunim në qeverisje lokale nuk ishte duke u zbatuar.
Edi Rama prishi çdo lloj marrëveshjeje të bërë jo vetëm me Metën, por edhe me aleatët e tjerë duke filluar një proces intensiv flirtimi me maxhorancën e atëhershme e duke tentuar me çdo kusht të krijonte një pakt të madh, i cili do ta bipolarizonte përfundimisht skenën politike shqiptare dhe do të godiste mbi të gjitha atë që e kishte ndihmuar më shumë dhe i kishte mundësuar pushtetin, Ilir Metën. Nuk ka qenë e largët koha kur planet e betonizimit të Tiranës u shtrinë drejt konkretizimit dhe kur akuzat që i bëheshin Qeverisë u kthyen në një teatër qesharak. Edi Rama në atë kohë e shpenzonte kohën duke bërë llogari elektorale, të cilat linin në skenën politike vetëm atë dhe askënd tjetër duke gënjyer, mashtruar dhe lojtur jo vetëm me aleatët klasikë e miqtë e tij të vjetër, por edhe me ata të rinj si puna e Veliajt me shokë, të cilët shpresonin se nëpërmjet tij do të ngjisnin shkallët e pushtetit me shpejtësi.
Ilir Meta i pranoi përsëri rregullat e reja dhe të padrejta të lojës, duke adaptuar të gjithë aksionin e vetë politik sipas tyre. Edhe pse i gjendur përballë një kodi elektoral të krijuar enkas për të goditur atë, edhe pse kishte një pakt gati kombëtar (për nga numri i deputetëve në Parlament në atë kohë) kundër tij, ai respektoi vendimin e shumicës dhe hyri në zgjedhjet e 2009, duke u sjellë si i barabartë me PS e PD, ndërkohë që realisht disproporcioni që krijonin rregullat e lojës dhe legjitimiteti i hilesë ishte spektakolar. Pa numërues, pa komisionerë, pa anëtar KQZ dhe pa një të drejtë reale ankimimi. Gjithsesi Ilir Meta respektoi paktin ashtu siç kishte bërë gjithnjë.
Sot historia duket se nuk ka ndryshuar shumë për këta aktorë politikë. Përsëri kemi përballë një Ramë plot me hile e me dredha dhe një Metë që vazhdon respekton paktet dhe rregullat e lojës, pavarësisht se kush i vendos ato.
Edhe pse kishte komisionerët e vetë në të gjitha qendrat e votimit dhe të numërimit, edhe pse OSBE thekson se votat e votuan keq dhe shumë keq pikërisht nga komisionerët e vet, edhe pse të gjithë ne që kemi qenë pjesë aktive e procesit kemi parë tendencën e komisionerëve të PS për të deformuar votën, kryesisht të LSI dhe respektimin e votës nga ana e atyre të PD, sot Edi Rama kërkon rinumërim si preteksti i radhës për të ndryshuar rregullat e lojës e për t’i përshtatur ato sipas situatës së re po të keqe, ku e ka hedhur vetveten.
Edhe pse statuti i Partisë së vet e thotë qartë që kryetarit i ndërpritet mandati dhe për rrjedhojë ai nuk duhet të kandidojë më, ai i ndryshoi dhunshëm dhe shëmtuar rregullat duke rikandiduar në një nga proceset zgjedhore më qesharake të historisë së këtij vendi.
Meta, edhe pse nuk ishte negociuar nga ai, mbrojti marrëveshjen me Greqinë për territorin ujor vetëm e vetëm sepse kjo ishte pjesë e punës së tij si Ministër i Jashtëm. Po Meta, pranoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta anuluar këtë marrëveshje, duke mos bërë asnjë koment karshi kësaj gjykate. I njëjti njeri që pranoi ta bënte koalicionin e tij me kundërshtarin klasik e historik, por që për hir të interesave kombëtare është duke bashkëpunuar seriozisht për të arritur rezultatet që na nevojiten të gjithëve.
Sot Edi Rama po kërkon një tjetër pakt, edhe ky i bazuar në hile, në intriga dhe në një Pazar të pistë interesash personale, të cilat kërkon t’i realizojë duke mbajtur peng një komb të gjithë. Asnjë argument i tij nuk mund të justifikojë qëndrimin jashtë dyerve të Parlamentit të deputetëve socialistë, ashtu siç asnjë ngërç moral nuk mund të justifikojë më veprimet e vetë deputetëve. Kushtet ai sot nuk po ia vë maxhorancës qeverisëse, por gjithë popullit shqiptar. Duke marrë peng procesin e integrimit, ai po na shantazhon të gjithëve në një stil tipik të terrorizmit politik.
Jo më kot iu ktheva edhe njëherë memories politike të asaj çfarë ka ngjarë me dy liderat e të majtës shqiptare. Ndërsa afron e shtuna, historia po tenton të ripërsëritet, ose më saktë Rama po kërkon ta kthejë kohën pas. Duke kërkuar një zgjidhje në tavolinë të asaj që vetëm ai e quan krizë, po kërkon të ndryshojë sërish rregullat e lojës e nëpërmjet tyre t’i jepet edhe një shans tjetër i pamerituar dhe i padrejtë, duke tentuar rishtas të shmangë garantin e një pakti të drejtë, Ilir Metën, edhe pse është e qartë për të gjithë që ai është i pashmangshëm jo vetëm për hir të koalicionit por edhe sepse e majta reflektohet e pasqyrohet shumë herë më mirë te imazhi serioz dhe luajal i Metës sesa te Piktura abstrakte me ngjyra e Ramës.
Historia midis tyre na mëson se Rama nuk mund të besohet dhe se me të nuk duhet të negociohet.
Nëse ia japin sërish këtë shans, jo vetëm Berisha e Meta por të gjithë ne që sot trazojmë sado pak apo shumë çorbën politike në këtë vend, na hiqet përfundimisht e drejta për të kërkuar ndonjëherë drejtësi. E nëse i japim atij që vetëm ka gënjyer, mashtruar, shpërdoruar e përfituar në kurriz të mirëbesimit të të tjerëve, edhe njëherë besim atëherë jam i bindur se qytetarët e këtij vendi do të pëshpërisin rishtaz me trishtim “ky vend nuk bëhet”, sepse jam i bindur që nëse do të ishte krejtësisht në dorën e tyre, ata nuk do t’ia jepnin Ramës edhe një shans.
(Botuar ne gazeten “Panorama” - 11.02.2010)
12/02/2010
ps: me pelqeu shume propozimi i Islamit, ti hapim kutite por mos ti numerojme votat:)
14/02/2010
Te gjitha rrugicat te cojne ne zgjedhje
nga Andrea Stefani
Ashtu sikundër të gjitha rrugicat të çojnë në bulevard, ashtu edhe të gjitha opsionet e ofruara nga PD dhe PS për zgjidhjen e krizës politike, të çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ky është përfundimi që rezulton nga qëndrimet e mbajtura prej të dyja palëve në tryezën e dialogut për zgjidhjen e krizës, të organizuar nga Presidenti i Republikës. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se është i gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme, por se “nuk mund t’i trajtojë problemet me gjykatat”. Ndërkaq lideri i PS, Edi Rama, deklaroi se “nuk lëvizim nga parimi i transparencës për të çliruar zgjedhjet nga mekanizmi i korrupsionit elektoral”. Më troç, këto deklarata duan të thonë se PD nuk do të tërhiqet nga pozicioni për moshapjen e kutive, ndërsa PS nuk do të tërhiqet nga pozicioni i hapjes së kutive. Por po ta shqyrtosh më në thellësi dinamikën e secilit prej këtyre opsioneve në rast realizmi, kupton se zgjedhjet e parakohshme bëhen të pashmangshme.
* * *
Duket se palët në tryezë, pasi janë larguar pa lëshuar fare “pe”, i kanë lënë Presidentit Topi misionin që të gjejë pikën e konvergimit mes tyre. Megjithëse detyra bart një tingëllim të ëmbël konstruktiv, duket se kemi të bëjmë me një mision të pamundur, sepse një pikë e tillë konvertimi, nuk shihet gjëkundi. Edhe deklarimet e të dy liderëve pas takimit të japin të kuptosh se ata nuk mund të tërhiqen as edhe një milimetër nga pozicionet e tyre, që janë të kundërta pa dëmtuar rëndë vetveten. Rama tha se nuk mundet të tradhtojnë misionin për të çliruar me anë të transparencës zgjedhjet nga mekanizmi i korrupsionit elektoral. Kjo do të thotë se nuk do të ketë në asnjë rast dhe në asnjë masë, heqje dorë nga kërkesa për hapjen e kutive. Nga ana e tij, Berisha dha të kuptohet se nuk mund ta pranojë hapjen e kutive sepse, për të, kjo do të thotë që të vërë në diskutim vendimin e gjykatave. Pika e takimit mes këtyre pozicioneve nuk ekziston. E vetmja pikëtakimi e të dyja palëve, janë zgjedhjet e parakohshme që po i imponohen të gjithëve si një domosdoshmëri. Madje ato bëhen të pashmangshme edhe po të hapen edhe po të mos hapen kutitë. Të paktën këtë sugjeron domethënia e qëndrimit të palëve, kuptimi i këtyre qëndrimeve.
* * *
Nëse kutitë nuk do të hapen, opozita do të vazhdojë të bojkotojë Parlamentin dhe një gjë të tillë nuk mund ta obstruktojnë as kërcënimet e Jozefina Topallit për heqjen e mandateve të deputetëve socialistë. Këta të fundit mund ta zhvleftësojnë fare thjeshtë një kërcënim të tillë, duke bërë një hyrje formale në Kuvend sa për të bërë betimin dhe për të dalë më pas prej tij, duke vazhduar bojkotin. Komentet dhe propagandat e shumicës rreth këtij veprimi taktik, tentativat për ta denigruar si një veprim për të marrë rrogat, nuk do të pinë ujë. Ndërkohë bojkoti do vazhdojë të pengojë reforma të rëndësishme dhe thellimi i krizës politike, do të rrisë edhe më shumë shqetësimin dhe përfshirjen më të vendosur të ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund asaj. Por meqenëse kriza nuk mund të zgjidhet, duke e eksbërë apo neglizhuar opozitën (ky qe gabimi fillestar i Berishës që nuk arriti të kuptojë peshën e 65 deputetëve) atëherë ndërkombëtarët do të tregohen më të vëmendshëm në atë se çfarë kërkon ajo. Dhe do të zbulojnë se opozita nuk kërkon asgjë më shumë se transparencë, një gjë aspak të tmerrshme për demokracinë dhe esencialisht jo në kundërshtim me Kushtetutën apo vendimet e gjykatave. Në një rast të tillë do të kishim edhe një rritje të presionit ndërkombëtar për hapjen e kutive dhe Berisha do të mund ta refuzonte një gjë të tillë, vetëm duke ofruar si konsensus zgjedhjet e parakohshme.
* * *
Por përse Berisha do të refuzojë deri në fund hapjen e kutive? Së pari, sepse i duhet të mbrojë një pozicion parimor, atë të mosdhunimit të Kushtetutës. Sepse ka deklaruar që të hapësh kutitë do të thotë të dhunosh vendimin e një gjykate. Nuk ka rëndësi nëse kjo që pretendon Berisha dhe mbështetësit e tij është e vërtetë apo jo. Rëndësi ka që ai e ka ekspozuar këtë pretendim si një besim të tijin, si një parim që nuk mund ta shkelë. Në të vërtetë na duket se janë shkaqe të tjera, aspak parimore, ato që e bëjnë Berishën të refuzojë hapjen e kutive nën maskën e moscenimit të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Dyshimet janë se kutitë mbajnë brenda shumë surpriza të pakëndshme. Ndryshe, përse e gjithë kjo këmbëngulje për të mos i hapur ato? Që të mos preket Kushtetuta? E kush mund ta besojë që Berisha është i pajisur me një ekzigjencë të tillë ndaj ligjit themelor të shtetit, në një kohë kur Gjykata Kushtetuese sapo hodhi poshtë si antikushtetues një tjetër nga projektligjet e shumta të Berishës, që ajo ka prapësuar vitet e fundit? E gjithë praktika politike e Berishës, të gjitha dhunimet dhe injorimet që ai i ka bërë Kushtetutës, tregojnë se jo respekti për Kushtetutën, por halli i demaskimit të një pushteti jolegjitim e detyron të kundërshtojë me forcë hapjen e kutive. Një analizë e tillë të bën të besosh se edhe sikur kutitë të hapen, masakra e votave që me shumë gjasa do të zbulohet para syve të publikut, do t’i bënte zgjedhjet e parakohshme një domosdoshmëri.
Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga koha kur opozita vendosi të bojkotojë Kuvendin. Nga një Berishë që e injoronte totalisht aksionin e opozitës, që deklaronte se nuk ka krizë, sot kemi një Berishë që detyrohet të ulet në tavolinë për të negociuar me opozitën zgjidhjen e një krize të njohur zyrtarisht edhe nga Asambleja e Këshillit të Europës. Ndërkaq, qeveria “Berisha”, ka humbur ekskluzivitetin e mbështetjes europiane. Nga një opozitë që zhvillonte një bojkot të anatemuar thuajse në bllok nga të gjithë, sot kemi një opozitë të mbështetur hapur në kërkesën e saj edhe nga e majta e Parlamentit Europian. Bojkoti i opozitës rezultoi në një sukses për të. Dhe nuk mund të mos vësh re që politika europiane është po aq e ndarë lidhur me krizën në Shqipëri, sa edhe politika shqiptare. Ndërsa e majta europiane po mbron të majtën shqiptare, e djathta europiane po mbron të djathtën shqiptare. As vetë parlamentarët europianë nuk po gjejnë dot një pikë të përbashkët (konvergimi) lidhur me krizën në Shqipëri. Prandaj do të jetë e vështirë që atë ta gjejë Presidenti Topi, nëse është i vendosur të mos bëhet palë. Ajo që Presidenti mund të sugjeronte si zgjidhje, pa cenuar pa anshmërinë e institucionit që përfaqëson dhe në kushtet e dhëna të inelasticitetit thuajse antagonist të palëve, janë zgjedhjet e parakohshme. Prandaj themi se kriza e kutive i shtyn detyrimisht të gjithë përsëri drejt kutive. Në kuptimin e zgjedhjeve të reja. Dhe a nuk janë këto të fundit jo një kiamet, por mjeti klasik me të cilin demokracia i zgjidh krizat e veta?
(Botuar ne gazeten “Shqip”)
24/02/2010
Misioni i mosndryshimit
nga Skender Minxhozi
Misioni imponues i Këshillit të Europës foli. Komiteti i Presidentëve ka deklaruar dje në vija të përgjithshme, nevojën për hyrjen e opozitës në Kuvend, krijimin e një komisioni hetimor për zgjedhjet të kryesuar prej saj, pa shkelur në “tokën e minuar” të objektit të hetimit. Edhe një herë kutitë kanë mbetur tabu për ndërkombëtarët, të cilët kanë zgjedhur si më të lehtë adaptimin e qëndrimit të Berishës, përballë sfidës së Ramës. Në krye të 48 orëve, qëndrimi në Shqipëri dhe disa dhjetëra orëve takime, zyrtarët nga Strasburgu i kanë lënë dhe një herë gjërat praktikisht pezull, duke përsëritur gabimin klasik të ndërkombëtarëve që flasin përgjysmë, veprojnë përgjysmë dhe gjykojnë përgjysmë.
Megjithatë, ne shqiptarët nuk i pëlqejmë zgjidhjet e buta, ku është e vështirë të dallosh fituesin dhe humbësin. Edhe një herë ftohemi, pas kësaj vizite nga Europa, që t’i gjejmë një fitues këtij takimi të rëndësishëm të krizës politike në vend. Dhe ndoshta një fitues ekziston. Sepse nga mënyra sesi u zhvillua dhe nga konkluzionet që nxori misioni i Këshillit të Europës, qeveria s’ka pse të ndihet aspak keq nga ato çka nxori nga goja turku Çavushoglu. Përkundrazi. E thënë kjo, është Rama ai që priste më shumë dhe që mori më pak. Edhe gara e mimikës së fytyrave të Berishës dhe Ramës, dje pas konferencës së shtypit të delegacionit të KE, e pasqyronte shkallën e humorit që la pas ky raund bisedimesh.
Në substancë, deklarata e përfaqësisë së lartë të KE adaptoi formulën e qeverisë, pa ofruar thuajse asgjë për opozitën. Tashmë ftesa e përsëritur e Berishës për të ftuar socialistët në Parlament, kundrejt formimit të një komisioni hetimor ku ata të kenë kryesinë, por pa përfshirë një formë çështjen e kutive, u bë edhe qëndrim zyrtar i Këshillit të Europës. Këtë mesazh kishte dalja publike e Çavushoglut dje, duket mjaft e lehtë për t’u kuptuar.
Nga ana tjetër, nuk mund të mos kalojë pa u vënë re edhe një fakt tjetër mjaft i rëndësishëm. Përkundër fjalëve dhe pritshmërisë së ditëve të fundit, problemi i hapjes së kutive me sa duket nuk u shtrua si një variant në tryezën e thirrur nga Strasburgu. Nëse miqtë nga Europa do të kishin dashur ta hidhnin këtë kartë për diskutim në tryezën e Presidentit, format dhe variantet ishin të shumta. Ato shkonin nga hapja me short e kutive, deri te ftesa për të hetuar atë pjesë të qarqeve që nuk kishin nga pas një vendim të Kolegjit Zgjedhor. Mos-shqyrtimi gjatë negociatave i këtyre varianteve tregon indirekt se ndërkombëtarët u janë trembur pasojave potenciale që mund të sjellë një proces i tillë shqyrtimi i kutive të votimit, i cili në kushtet konkrete i ngjan shprehjes “të nxjerrësh djallin nga shishja”. Ose ndryshe, të pranosh që Shqipëria të shkojë në zgjedhje, siç e ka thënë hapur Sabri Godo.
Ramë sërish në logjikën “shqiptare” të krizës, ose ndryshe, në mekanizmin më të mbrapshtë të menaxhimit, që ka prodhuar në 20 vjetët e fundit dramat më të mëdha në këtë vend. Heqja mënjanë e arbitrit dhe vazhdimi i lojës pa gjykatës, ka shumë mundësi që t’i ngjajë këtej e tutje atyre ndeshjeve të kampionatit shqiptar të futbollit, ku spektatorët, ekipet dhe policia lokale, japin shpesh shfaqje boksi masiv, me rrahje, shkelma dhe thyerje nofullash. Nëse kishte dhe ka një moment të papërshtatshëm për ta lënë këtë krizë në dorën e Sali Berishës dhe të Edi Ramës, ky është pikërisht një i tillë. Prej këtej e tutje do t’u kthehemi sharjeve të turpshme në një Parlament të boshatisur dhe mitingjeve sfiduese në dritaret e Kryeministrisë. Kjo atmosferë s’do shumë koment: është tamam ajo që s’i duhet vendit në këtë moment.
Përtej shuplakës mes rreshtave që opozita mori dje, një dështim djegës ka marrë me vete në Strasburg edhe dërgata e ndërkombëtarëve. Nëse Athina qan, Sparta nuk qesh, thotë shprehja. Ky është një falimentim jo i thjeshtë dhe as i lehtë i të gjithë ndërmjetësve të huaj, institucione, shtete apo organizata gjithfarësh, që janë marrë me këtë krizë komplekse gjatë gjashtë muajve të fundit. Vetë miti i të plotfuqishmit, që shoqëron imazhin e diplomatit të huaj në sytë e shqiptarëve qysh nga fillimi i kohërave, ka marrë një plasaritje të dukshme pas kësaj tentative të vështirë pajtimi, të dështuar nga një delegacion i nivelit shumë të lartë. Paneli i përzgjedhur i zyrtarëve të Këshillit të Europës, e bën edhe më të zhurmshëm dështimin e kësaj negociate. Me sa duket, plani i famshëm “B” për krizën elektorale shqiptare, i shumëpërfolur dhe i shumëpritur, ekziston (për momentin të paktën) vetëm në fantazinë e entuziastëve. Ndërkombëtarët zbuluan edhe një herë limitet e tyre, përballë kokëfortësisë ballkanike të politikanëve shqiptarë.
Kjo krizë ka lënë jashtë prej muajsh një litar të rrezikshëm për opozitën: mandatet e paformalizuara të 64 deputetëve të saj. Kjo rrethanë e ka vendosur rregullisht Ramën një hap pas Berishës, në garën për hetimin e zgjedhjeve. Nëse opozita do ta kishte zgjidhur problemin delikat të marrëdhënies me Kuvendin, ka shumë gjasë që edhe negociatat e fundit me delegacionin europian të kishin një formë dhe një përmbajtje tjetër. Vetëm pak orë larg vendimit të vështirë të rikthimit të deputetëve të tij në sallën e Kuvendit, Rama duhet të mendojë se me çfarë justifikimi publik duhet ta bëjë këtë gjest. Ai duhet gjithashtu të peshojë me kujdes se si dhe sa do të qëndrojë opozita në atë sallë. PS ka pasur kohë ta mendojë këtë takim të vështirë me fatin e saj politik. Cilido qoftë vendimi, një gjë duket e palëvizshme edhe pas vizitës së delegacionit të Këshillit të Europës. Kauza e hapjes së kutive të votimit nuk është sot më pak e drejtë dhe e vlefshme, pas kësaj vizite. Ajo është ndoshta po aq e vështirë dhe formalisht jokorrekte sa më parë, por kurrsesi e padrejtë. Nëse opozita ka hedhur tashmë hapin e njohjes së zgjedhjeve dhe institucioneve të dala prej tyre, ajo e ka të vështirë të hedhë një tjetër hap, që do të komprometonte rëndë pozitën e saj ndaj zgjedhësve dhe kundërshtarit. I takon Berishës, edhe tani kur Cavushoglu ka folur, të hedhë hapin e afrimit. Zgjidhje tjetër nuk ka.
(Botuar ne gazeten “Shqip”)
Leave a comment
You must be logged in to post a comment.
Pyetje liderit
Search
Komentet e fundit
- etase on Kriza politike dhe lëvizja e lirë
- admin on Protesta dhe kriza ekonomike
- anila_2010 on Radikalizimi i protestës së opozitës
- etase on Radikalizimi i protestës së opozitës
- Edlira Gjoni on Protesta dhe kriza ekonomike
Me te lexuarat
- No results available


04/02/2010