Shqipëria dhe Kosova, sa pranë e larg

Wednesday, February 17th, 2010 | tema e dites

Në dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës, mund të themi pa frikë se diplomacia shqiptare ka ndihmuar me të gjitha mundësitë e saj për njohjen në arenën ndërkombëtare të shtetit më të ri në botë. Por kur vjen fjala tek bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve tona, ka ende shumë për të bërë. Në cfarë optike duhet të shihet bashkëpunimi i ardhshëm Shqipëri-Kosovë ? Cila duhet të jetë qasja politike shqiptare dhe kosovare, në eleminimin e barrierave të deritanishme ?

2 Comments to Shqipëria dhe Kosova, sa pranë e larg

admin
05/03/2010

Shqipëri-Kosovë, rëndësia e ekonomisë

nga Albert Rakipi

Gjatë dy viteve të fundit Tirana dhe Prishtina duket se janë në kërkim te ethshëm të krijimit të marrëdhënieve si dy shtete të pavarura.

Është pikërisht rasti kur ndonëse midis dy shteteve (që i përkasin të njëjtit komb) nuk ekziston asnjë problem, ndërtimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi nuk është i lehtë. Dhe nuk është për t’u fajësuar asnjëra prej qeverive respektive.

E kaluara, ndarja e gjatë dhe mungesa e komunikimit midis dy shoqërive, tregjeve respektive dhe deri diku e elitave politike e vështirëson bashkëpunimin. Po të hidhet një vështrim më i thelluar tek marrëdhëniet e sotme midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk është e vështirë të dallohet se në to ende nuk ka shumë substancë.

Nga pikëpamja strategjike Shqipëria dhe Kosova e shikojnë të ardhmen e tyre si anëtare të Bashkimit Europian përkundër spekulimeve se pavarësia e Kosovës mund të inkurajonte projektin e një Shqipërie të Madhe.
Nuk ekziston një projekt i tillë. As në Tiranë as në Prishtinë nuk ka parti, organizime të tjera apo individë me influencë që të mbështesin një projekt tjetër përveç atij të integrimit europian.

Në rrafshin politik gjatë dy vjetëve të fundit po konsolidohet një prirje e qartë e një bashkëpunimi të ngushtë, pavarësisht se cilat parti janë në pushtet në të dy vendet.

Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë agresive për të zgjeruar procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Ndonëse mundësitë e Shqipërisë për të ndihmuar në procesin e mëtejshëm të njohjeve mund të jenë më të shumta se të vetë Kosovës, gjithsesi ato janë modeste.

Kosova aktualisht është njohur nga komuniteti i vendeve më demokratike dhe fuqive më të rëndësishme në sistemin e sotëm ndërkombëtare. Mundësitë që Shqipëria të ndikojë në zgjerimin e njohjes ndërkombëtare nuk mungojnë dhe ndoshta ajo që mund të bëhej (dhe duhet të bërë) do të ishte një koordinim më i mirë midis diplomacive të të dy vendeve.

Një përpjekje e Tiranës për të forcuar marrëdhëniet me Serbinë pavarësisht nga marrëdhëniet e kësaj të fundit me Kosovën duket se nuk është pritur me entuziazëm në Prishtinë. Çështja nuk është që Shqipëria t’i kushtëzojë marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë me qëndrimin që kjo e fundit mban me Kosovën.

Por, vrapimi i Tiranës për të demonstruar entuziazëm për marrëdhënie me Serbinë kur kjo e fundit duket të jetë thuajse indiferente janë të pakuptueshme, nëse nuk janë thjesht një përpjekje për të fituar legjitimitet dhe përkrahje ndërkombëtare.

Suksesi dhe qëndrueshmëria e marrëdhënieve ndërmjet shteteve përcaktohet nga reciprociteti. Nga një këndvështrim tjetër, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kur ministri i Jashtëm i Shqipërisë viziton Beogradin, njëherazi ai është edhe ministër i një vendi anëtar i aleancës.

NATO nuk mbështet institucionet dhe strukturat paralele që Serbia vijon të inkurajojë dhe financojë në Kosovë dhe afërmendsh Shqipëria si anëtare e aleancës duhet ta thotë me zë këtë pikëpamje.

Nga pikëpamja ekonomike marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës ende janë të vakëta. Arsyet, së pari, duhen kërkuar tek e kaluara: Në njëqind vjetët e fundit, ekonomitë dhe tregjet e të dy vendeve kanë operuar të izoluara nga njëra-tjetra.

Së dyti, ekonomitë e të dy vendeve për shumë dekada kanë qenë pothuajse ekonomi agrare dhe shkalla e industrializimit ashtu si në të gjitha vendet ballkanike është ende e ulët.

Së treti, tregjet dhe ekonomitë e vendeve ballkanike janë të orientuara nga vendet anëtare të BE, duke filluar me Italinë dhe Greqinë dhe ka pak shkëmbime midis tregjeve nacionale ballkanike, sepse tregjet ballkanike ende nuk janë funksionuese.
Forcimi i marrëdhënieve ekonomike të Kosovës me Shqipërinë janë thelbësore për viabilitetin e ekonomisë së kësaj të fundit.

Përmes Shqipërisë, Kosova ka të siguruar daljen në det, por edhe një zgjerim të tregut, por përfitimet janë të dyanshme po të mbajmë parasysh se tregu natyral për pjesën veriore dhe verilindore të Shqipërisë kanë qytetet kryesore të Kosovës. Ky treg natyral u ndërpre dhe mbeti i izoluar për gati një shekull.

Turizmi në Shqipëri aktualisht mbështet shumë në të ashtuquajturin turizëm etnik, por një fushë tjetër strategjikë është energjia.

Ndonëse në mënyrë spontane bashkëpunimi në fushën e energjisë paralajmëron krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë. Me autostradën Durrës-Kukës, e quajtur ndryshe rruga e kombit, është përmirësuar në mënyrë të jashtëzakonshme infrastruktura rrugore midis dy vendeve.

Për Kosovën dhe Shqipërinë mund të duket e lehtë krijimi dhe zgjerimi i një tregu etnik, por për arsyet historike të izolimit të gjatë, si dhe strukturën aktuale të ekonomive të të dy vendeve, kjo do të kërkojë kohën e vet.

Ajo që po shikojmë në Ballkan nga perspektiva ekonomike duket të jetë në një shkallë të caktuar “back to the future” me rikthimin e tregut në kohën kur të gjitha pjesët funksiononin në ombrellën e federatës.

(Botuar në gazetën “Shekulli”)

Hysni Ahmetaj
06/04/2010

Fati ndihmon mendjet e përgatitura
Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë kane së paku dy dimensione kryesore: Politik, dhe ekonomik, te cilët ndërthuren dhe varen nga njeri tjetri.
Në një sondazh të gallup rezulton se mbi 70% e shqiptarëve në të dy anët e kufirit janë për bashkim kombëtar. Nëse bëhet një sondazh në personazhet publikë në të dy anët e kufirit 99% do të ishin kundër. Në një tjetër sondazh të këtyre të fundit 100% do të ishin kundër trajtimit publik të kësaj çështje.
Në rrafshin politik duhet ndare njëherë e mire se çfarë synohet të arrihet me marrëdhënie politike mes dy vendeve. Duhet tu jepet përgjigje shume pyetjeve ne lidhje me këtë çështje. A janë më të sigurte shqiptaret në një shtet apo në dy shtete? A shërbehen më mirë shqiptarët nga një shtet i vetëm në shtatë milion banorë apo nga dy shtete? Nëse ajo që kërkohet është unifikimi i praktikave dhe ndërtimi i një tregu të përbashkët për të maksimizuar rritjen e mirëqenies a mund të arrihet me mirë kjo ne një shtet të vetëm apo në dy shtete? Nëse ajo që na duhet nuk është unifikimi deri në një shtet të vetëm, a ka politika për të cilat duhet të flasim me një zë të vetëm? Nëse po cilat janë këto politika dhe në çfarë forme duhet të arrihet kjo?
Në një fazë të dytë duhet të analizojmë se çfarë nga ato që i konsiderojmë interesa tona të përbashkëta mund të realizohen dhe me çfarë mjetesh.
Është shume e çuditshme paaftësia shqiptare për tu përballur me këtë çështje.
Është e pamundur qe perspektiva e Shqipërisë te ndahet nga ajo e Kosovës dhe e anasjella. Është marrëzi të mendosh se Kosova do ta merrte pavarësinë pa Shqipërinë dhe gjithashtu marrëzi të mendosh se Shqipëria do te kishte rol në rajon pa Kosovën.
Nuk mund të mendohet se integrimet euroatlantike janë qëllimi ynë. Ato janë mjet për të rritur sigurinë dhe cilësinë e jetës për të gjithë, por mjetet pa qellim final dhe një strategji të sakte mund të rezultojnë te padobishme. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe stabilizimi i saj përfundimisht në procesin e integrimit ne BE, njohja e mundshme e Kosovës nga BE-ja si dhe ndryshimi i qasjes së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit (përfshi edhe anëtarësimin e mundshëm të Serbisë si shpërblim për heqjen dore ngas pretendimet ndaj Kosovës) do ta ulin vlerën politikes konstruktive të shqiptarëve në rajon si dhe do të sjelle nevojën për moderimin e objektivave gjeopolitike shqiptare.

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.

Pyetje liderit

Duke dashur që të sjellim sa më pranë vendimmarrësve, idetë dhe shqetësimet e studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, kemi menduar që të organizojmë disa kontakte online me liderë të ndryshëm të politikës shqiptare. Nëse dëshironi që të bëheni pjesë e këtij projekti, mund të na shkruani ne adresën: admin@politika.al. Gjithashtu, përzgjedhja e liderëve do të kryhet edhe mbi bazën e kërkesave tuaja.

Search

Me te lexuarat

  • No results available

Arkiva

number of visitors