Kriza politike dhe lëvizja e lirë
Friday, March 5th, 2010 | Europa
Në momentin kur institucionet europiane do të marrin një vendim përfundimtar për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, kriza politike vazhdon të mbajë të mbërthyer vendin. Zyrtarët e BE-së, kanë nisur të paralajmërojnë gjithnjë e më hapur se situata politike po rrezikon hapat e mëtejshëm integrues të vendit e në këtë aspekt mund të përfshihet edhe vendimmarrja për lëvizjen e lirë. Por, a duhet të bllokohet procesi i liberalizimit të vizave të qytetarëve shqiptarë për faj të politikës që nuk arrin të gjejë dialogun ? A duhet të ndëshkohen qytetarët për papërgjegjshmërinë e politikanëve të tyre ?
4 Comments to Kriza politike dhe lëvizja e lirë
Integrimi i çuditshëm
Igli Totozani
Në Shqipëri ka një “keqkuptim” të padenjë ndaj procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. Kuptohet, të padenjë ndaj qytetarit të këtij vendi.
Dhe të padenjë, sepse duket sheshit se ky proces madhor jo vetëm nuk është prezantuar nga politika ashtu siç është dhe për atë çka synon, por më keq akoma, në përmbushje të kërkesave të tij, politika e këtij vendi, nuk ka kontribuar aspak ose thuajse aspak, të përmbushi kërkesën madhore të tij.
Në fakt qëllimi kryesor i procesit të integrimit është dhe mbetet europianizimi i vendit që me fjalë të tjera do të kuptohej si një proces me etapa (të cilat nuk po përmenden këtu) që ndiqnin radhë-radhë njëra-tjetrën deri sa vlerat europiane të tilla si demokracia, shteti i së drejtës, liritë, të drejtat dhe dinjiteti i njeriut, ekonomia e tregut të lirë etj., etj., të shndërroheshin në pjesë përbërëse të kulturës dhe mentalitetit të shoqërisë Shqiptare.
Natyrisht, vendet Europiane janë të ndërgjegjshme se një shndërrim i tillë nuk do mund të ndodhte brenda një nate. Por, gjithsesi, ata kanë pritur se, pavarësisht nga vështirësitë e llojeve dhe të natyrave të ndryshme, objektive apo subjektive, në lartësinë e gjithë këtyre viteve, diçka do të ndryshonte për mirë.
Në këtë kuadër, strategjia, e cila do të bënte të mundur, në vija të përgjithshme kalimin nga një diktaturë në një demokraci, do të bazohej në transformimin nëpërmjet të drejtës.
Europianët, në mungesë të një modeli të gatshëm për aplikim, i cili do të bënte të mundur këtë transformim, menduan dhe konceptuan një proces ndryshimi, i cili do të bazohej kryesisht, si fillim në ndryshimin e të drejtës, pra legjislacionit të vendit aspirant. Ideja e këtij transformimi qe e thjeshte: qytetarët e këtij vendi, të mësuar me supermacinë dhe respektimin e detyrueshëm të ligjeve të diktaturës, nuk do ta kishin vështirë që këtë kulturë juridike ta përdornin edhe në demokraci.
Me fjalë të tjera, ata do t’i bindeshin njësoj edhe ligjeve dhe urdhërimeve të demokracisë. Dhe kështu, me kohë, respektimi i tyre do të sillte si pasojë, ndërtimin edhe të një kulture dhe mentaliteti të ri demokratik.
Për ta kuptuar këtë mjafton të kujtohemi për semaforët e vendosura veçse vonë në Shqipëri. Në fillim, kur u vendosën për herë të parë, askush nuk i respektonte. U desh që në udhëkryqet e Tiranës, përveç semaforëve të rinj, të vendosej pranë edhe një polic rrugor, i cili kishte për detyrë të detyronte njerëzit të respektonin semaforin.
Jo rrallë edhe sot e kësaj dite, jo larg semaforëve gjen ndonjë polic të fshehur, të gatshëm të kap në gabim qytetar që nuk respektojnë këtë shenjë, ende jo edhe sot e kësaj dite.
Por, nëse dje të paktë e të mësuar me zor, sot në shumicën e tyre, njerëzit e respektojnë semaforin sepse tashmë ia njohin vlerën.
Sot, mund të gjesh, edhe në orët e para të ditës, qytetarë të këtij vendi, të ndalur para semaforit të kuq edhe pse për së largu nuk gjendet asnjë shenjë polici rrugor apo mjeti tjetër.
Pak a shumë kjo do të ishte logjika e shndërrimit të sistemeve nëpërmjet transformimit të së drejtës së vendit.
Por, edhe pse kërkoi vite të mësuarit me të mirat që sjell, respektimi i semaforit është në realitet shumë herë më i thjeshtë se procesi i ndërgjegjësimit të qytetarit mbi rëndësinë e njohjes dhe shndërrimit në organike të vlerave europiane të përmendura më lart. Sigurisht, të jesh europian sot do të thotë shumë më tepër se të respektosh ligjet e vendit.
Do të thotë në fakt, të kesh kuptuar ose më saktë akoma, të ndjesh thellë në psikikën tënde nevojën e fortë dhe ngulmuese për përsosje të jetës, të demokracisë në vend, të zgjerimit dhe aplikimit pa ekuivok të lirive dhe të drejtave të njeriut, të një organizimi gjithmonë e më të plotë të ekonomisë së tregut, të solidaritetit shoqëror, të transparencës, etj., etj.
Por pas, pothuajse njëzet vjetësh të këtij procesi demokratizimi të vendit dhe shoqërisë shqiptare i cili, në fakt është dhe njëkohësisht europianizimi i tij, është shumë pak të jesh akoma në nivelin fillestar të këtij procesi: pra miratimit të një kuadri ligjor europian dhe respektimit të tij.
Edhe nëse kjo do të ndodhte në perfeksion (në fakt as kjo nuk ndodh), është shumë pak. Sepse na kërkohet më tepër. Ose më saktë, do të na duhej të kërkonim më tepër nga vetja.
Sot kërkohet të ndjejmë dhe mendojmë si Europian.
A po ndodh kjo? Që kjo nuk po ndodh me qytetarin e këtij vendi, është e dukshme. Por, është gjithashtu e kuptueshme për arsye që tashmë i dimë të gjithë. Kjo nuk është padyshim një gjë e mirë, por nuk mund t’i fajësojmë gjithmonë qytetarët e një vendi, në historinë e të cilit ka njohur veçse regjime autoritare.
Por kjo nuk po ndodh - dhe ky është lajmi i keq - me atë nga e cila pritej të ndodhte, gjatë gjithë kësaj kohe, fare pa ndihmën e europianëve, por thjesht dhe vetëm nga nxitja e brendshme për një jetë më të mirë, pra klasës politike të këtij vendi.
Nga kjo e fundit, kërkohet gjithmonë të shohë më larg se kushdo tjetër, në horizontet drejt të cilëve, do të udhëheqin rrugëtimin e qytetarëve të këtij vendi.
Sot kjo detyrë është gjithashtu relativisht e thjeshtë për shkakun se në krah ka fuqi të mëdha demokratike, të cilat veç ndihmojnë duke ndriçuar rrugën tonë me përvojën dhe ndihmën e tyre.
Por, tamam atëherë, çuditërisht, integrimi nuk ecën me hapat e duhur, sepse dhe demokratizimi i vendit ecën tepër ngadalë. Kjo po ndodh, sepse roli i kësaj klase është “luajtur” ndryshe nga ai çka pritej.
Në fakt, duket se koha ka qenë më se e mjaftueshme për të, për të kuptuar se më parë vjen demokratizimi dhe më pas integrimi apo më së paku këto dy procese do të duhej të ecnin krahë për krah.
Në të vërtetë, ndryshe nga ç’pritej, klasat politike shqiptare e kanë prezantuar integrimin Europian (brenda vendit kuptohet), si një proces i cili jo thjesht do të na çonte në Europë, por dhe do të sillte si rezultat edhe demokratizimin dhe në përgjithësi europianizimin e vendit dhe të shoqërisë, kur në Europë strategjia ishte e kundërt.
Nëpërmjet kushtëzimeve të vendosura prej saj, synohej pikërisht demokratizimi i vendit para se ai të integrohej. Me fjalë të tjera, kjo klasë, pavarësisht nga diskursi i saj publik, në realitet ka krijuar para qytetarëve të saj mitin urban se gjithçka po e mëson ngadalë - ngadalë gjatë këtij procesi.
Po kështu për të forcuar këtë mit, ajo e prezanton këtë integrim (për demokratizim flitet aq pak në Shqipëri), siç parashikohej ai në momentet e fillimit, njëzet vjet më parë.
Pra, si një proces tërësisht mekanik, avancimi i të cilit edhe pse i ngadalshëm do të sillte dikur integrimin e vendit në Europë dhe sigurisht, bashkë me të edhe demokracinë. Kjo duket të jetë një zgjidhje e formësuar me kohë për të shpjeguar para opinionit, përse jemi të fundit, në vija të përgjithshme si dhe për të justifikuar jo rrallë hapa aspak demokratik të rutinës së përditshme qeverisëse.
Kjo sjellje shpjegon rezultatet e çuditshme gjatë kësaj periudhe. Kështu, është tashmë e qartë se askush në klasën politike Shqiptare nuk ka si të mos e dijë se administrata publike e vendit duhet të jetë e pavarur nga politika, me rregulla të qarta karriere, rekrutimi dhe pushimi nga puna dhe se mbi të gjitha perfeksionimi i saj kërkon në radhë të para stabilitet afatgjatë.
Një klasë politike e europianizuar do të mundohej në çdo moment për të bërë të mundur zbatimin e këtyre kërkesave jo vetëm të kohës.
Në të vërtetë të gjithë e dimë ç’ndodh. Para publikut shqiptar sjellja ndaj saj prezantohet si përmbushje e kërkesave të Europës për të pasur thjesht dhe vetëm një kuadër ligjor të plotë.
Sigurisht, të pa zbatuar dhe shkelur me dy këmbë. Udhëheqës të vërtetë shteti do të dinin të sakrifikonin kërkesat e militantëve, duke ndërtuar më së fundi një administratë profesionale dhe të pavarur nga politika. Kjo nuk ndodh.
Por kjo nuk ndodh pothuajse në të gjitha fushat. Dhe kjo nuk ndodh nga padija e shumicave qeverisëse tona, por nga mungesa e vlerave të mirëfillta europiane në mendësinë dhe kulturën e tyre.
Pikërisht, këtu qëndron dhe shkaku kryesor i vonesës sonë. Prezantimi i procesit të integrimit si një proces thjeshtësisht mekanik synon të mbulojë para opinionit publik vendas jo thjesht dhe vetëm vonesën e këtij procesi (shpesh këtë mund ta kërkojnë edhe tek Europa vetë), por në radhë të parë mungesën alarmante të kulturës demokratike europiane të autorëve të këtij manipulimi.
Është kjo mungesë e fundit që vonon demokratizimin tonë dhe rrjedhimisht integrimin në Europë. E pamundur të kuptohet, për arsye objektive e subjektive, nga qytetari i këtij vendi, kjo ka kohë që dihet dhe njihet më së miri nga Europa.
Kësaj të fundit, i intereson shumë më tepër se ana formale e demokratizimit të Shqipërisë, ana thelbësore e tij.
Dhe në fakt, ky i fundit mungon në mënyrë alarmante, për kë ka sy të shikojë e vesh të dëgjojë…
(Botuar ne gazeta “Shekulli”)
08/03/2010
Nuk duhet të ndëshkohen shqiptarët për liderët e tyre
Sipas të gjitha gjasave, 18 marsi do të shënojë njëkohësisht me fundin e armëpushimit të përkohshëm të bojkotit të institucioneve edhe rikthimin e opozitës në rrugë. Nëse dy projektligjet e propozuara nga PS nuk do të gjejnë aprovimin e mazhorancës, që ka shumë mundësi të ndodhë, lidershipi socialist do t’i drejtohet edhe njëherë gjuhës së protestave popullore si i vetmi mjet për të larguar « qeverinë e Ruzhdijes ».
Ky rikthim i krizës dhe zgjatja e mëtejshme e bojkotit të reformave institucionale, ka shumë gjasa që të ndikojnë në vullnetit e BE-së për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët.
Sa më tepër që i afrohemi momenteve kur do të vendoset për heqjen e vizave, zyrtarët europianë po na përsëritin paralajmërimin se situata politike mund të dëmtojë këtë proces. Por a duhet të bllokohet procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, për faj të politikës që nuk arrin të gjejë dialogun ?
Unë mendoj se është pikërisht kjo situatë politike në vend, kjo mungesë dialogu dhe vullneti për zbutje tonesh të liderëve tanë, ajo që duhet të stimulojë më tepër europianët që t’u lejojnë shqiptarëve që të punojnë e ndoshta edhe jetojnë në një vend tjetër. Në një vend ku qeveria I respekton ligjet, ku opozita nuk e ka mendjen tek protestat në rrugë dhe ku jeta ka më shumë vlerë.
Nëse qytetarët shqiptarë e kanë dëshmuar për të disatën herë se nuk i meritojnë politikanët që kanë në krye, atëherë duhet t’u jepet një mundësi për të ndryshuar jetën e tyre.
Erjon Tase
(SHSHSP ‘08)
10/03/2010
Te reagojme kunder politikes qe pengon integrimin
Nje shprehje e vjeter e njerezimit qe i ka rezistuar koherave thote: Cdo popull meriton qeverine e vete, qeverine e nxjerre nga vete ai.
Historikisht dhe do zoti jo gjenetikisht, raca shqipetare ka patur qe ne kohen e Skenderbeut e me pas ne periudhen e pashallekut te Ali Pashait tipare te tilla negative, si mosbesimi dhe mungesa e vullnetit midis vete shqiptareve, duke sabotuar e minuar ne kete menyre nje aspirate te shumepritur prej shekujsh nga nje komb qe ka patur sy e vesh gjithmone nga perendimi.
E njejta gjendje vazhdon te ekzistoje akoma edhe sot ne lemin e vendimarrjes sidomos ne periudha jetike per te ardhmen tone europiane.
Po mundohem te gjej se cfare interesi kaq madhor duhet te kene keta politikane te kesaj arene cirku ne mos gjetjen e kesaj gjuhe te perbashket. “Mungesa e informacionit” nuk ma jep dot pergjigjen…
Tanime qe jemi ne rruge te drejte, pa kthesa dhe disheze, mjafton thjesht te mos vendosesh kemben tek frenat per te shkuar atje ku rruga te shpie…
Me sa duket kjo fjale kaq e madhe, VULLNETI, eshte akoma nje utopi ne realitetin politik shqipetare.
E vetmja gje qe duhet te kuptojne keta njerez qe kane marre persiper te perfaqesojne kete popull, eshte se Europa dhe personat qe drejtojne institucionet qe do japin driten jeshile, e dine mjaft mire gjendjen tone…si dhe hapat qe duhet te bejme akoma. Europianet jane aq te zgjuar ne mos bashkangjitjen e imazhit te nje populli me ate cfare shpalosin disa politikane te ketij populli ne sallonet e institucioneve te tyre. Kane dhe ata mjetet e tyre per te analizuar gjendjen qe ekziston ne Shqiperi dhe sa eshte e gatshme ajo per te qene pjese e saj, pra nuk i nevojiten asaj njerez qe bejne papagallin, por thjesht njerez qe te kryejne sic duhet detyrat qe kane ndermarre si perfaqesues, duke zene vendin e tyre ne debat e diskutim, si i vetmi motor zhvillimi.
Ne kontraten sociale qe populli jone beri ne zgjedhjet e fundit, nuk ishte perfshire si pike ose klauzole, pjesa e bojkotit apo protestave per ceshtje kapricoje ose kompleksi inferioriteti i te humburve.
Po, ne si individe duhet te dalim ne protesta kunder prishjes se kesaj kontrate, si e vetmja proteste qe populli shqiptar duhet te dale aktualisht.
Po, ne do ndeshkohemi po nuk ushtruam mjetet tona te presionit kunder atyre qe pengojne kete proces nepermjet lecitjes qe po i bejne shtepise se tyre.
Alban Fishka
(SHSHSP ‘10)
17/06/2010
Kërcënimi i gabuar me vizat
Nga Erjon Tase
Kur po mbushet muaji që nga takimi i ”krokodilëve” të politikës shqiptare në tokën neutrale të Strasburgut, duket se do të jenë sërish europianët që do të marrin vetë në dorë zgjidhjen e krizës shqiptare. Për dikë që e njeh mirë retorikën politike gjatë këtyre muajve të fundit, është e qartë se gjetja e një kompromisi mes të dyja palëve kur arritja e tij do të thotë fundi i alibisë së njërës palë, nuk do të jetë i lehtë. Të paktën nuk mund të arrihet nëpërmjet një darke miqësore apo shtrëngimeve zyrtare të duarve në një tryezë të përbashkët presidenciale. Mesa duket ndërkombëtarët nuk duan ta përtypin këtë ”patate të nxehtë” që u gatuan kuzhinierët e politikës shqiptare dhe do të vazhdojnë të insistojnë në ndërhyrjet e tyre, tashmë edhe më të ashpra.
Impenjimi i Europës në këtë sfidë ku është në lojë reputacioni diplomatik i saj, duket se do të finalizohet me atë kërcënim që po sillet vërdallë kokave tona prej disa javësh: nëse nuk gjendet paqja, Brukseli do të ”ngrijë” hapat integrues të vendit si dhe proçesin e liberalizimit të vizave. Në fund të fundit kjo është arma më e fortë që mund të përdorë administrata europiane për të detyruar politikën shqiptare për të gjetur një zgjidhje të ngërçit politik me synimin për t’i hapur rrugë reformave dhe mirëqeverisjes. Ndërhyrja e Brukselit legjitimohet pikërisht tek ky synim për të përmirësuar qeverisjen e vendit dhe në këtë mënyrë rritjen e mirëqënies dhe lirive të shqiptarëve. Pra gjithçka bëhet në të mirën e qytetarëve shqiptarë.
Por a mund të japë rezultate pozitive kjo politikë bllokuese e institucioneve europiane kur ata që do të ndëshkohen do të jenë vetë qytetarët më tepër se politikanët? Ka disa arsye që e bëjnë të lëkundshme rrugën e kërcënimit që po imponojnë institucionet europiane.
1-Bllokimi i vizave mund të izolojë më tepër shqiptarët në krahasim me popujt e tjerë të rajonit, duke e dëmtuar mirëqënien e tyre.
2-Duke qënë të refuzuar nga Europa, qytetarët mund ta humbasin atë mbështetje të palëkundur që kanë patur deri më sot drejt integrimit europian.
3-Politika e bllokimit të vizave mund të krijojë disa mundësi për ndryshim, por nuk jep ndonjë garanci për ndryshimin.
Nëse dy pikat e para mund të jenë më subjektive për shqiptarët sesa për europianët, pika e fundit është ajo ku institucionet europiane duhet të ndalen pak më gjatë përpara se të veprojnë. Strategjia e zgjedhur nga Brukseli bazohet pikërisht tek argumenti i logjikshëm se nëse qeveria do të dështojë në premtimin e liberalizimit të vizave dhe integrimin e shpejtë të vendit, atëherë qytetarët do ta dënojnë atë me votë kundër në zgjedhjet e ardhshme. Por, nuk duhet harruar se në këtë pikë kritike ne kemi arritur pikërisht për shkak të humbjes së besimit në proçesin zgjedhor të organizuar dhe cënuar nga vetë politika. Deri më sot proçesi i zgjedhjeve është ndërtuar mbi kontrollin reciprok të komisionerëve të një partie nga partia tjetër rivale. Provat e deritanishme të sjella nga opozita shqiptare, na kanë dëshmuar se në ato qendra votimi ku ky kontroll i dyanshëm nuk ka funksionuar, proçesi ka çaluar dhe kanë lindur edhe manipulime me votën e qytetarëve. Pra, deri më sot, shqiptarët mund të kenë dashur të ndryshojnë politikanët që i drejtojnë edhe pa këtë ndërhyrje të Brukselit, por proçesi zgjedhor, i cili i është lënë në dorë politikës dhe jo teknikëve të pavarur apo aparaturave elektronike, nuk ka garantuar leximin e duhur të votës së tyre. Pikërisht në këtë pikë, tek sigurimi i një proçesi zgjedhor të besueshëm dhe të padëmtuar nga politika e të dyja krahëve, ky bllokim vizash nga BE nuk mund të sjellë garanci për ndryshimin e pritur.
Sigurisht që përgjegjësia kryesore për organizimin e zgjedhjeve të lira, i takon mazhorancës qeverisëse. Kur qeveria i takson qytetarët e saj, ajo ka për detyrë t’u sigurojë atyre disa përfitime duke filluar që nga shërbimet, përgjegjshmëri dhe qeverisje të mirë, duke përfunduar me lirinë dhe përfaqësimin. Kjo marrëveshje reciproke taksim dhe përfaqësim, është ajo që i jep qeverive legjitimitetin në botën moderne. Nëse do të vazhdojmë më tej këtë ide klasike të funksionimit të shtetit, nëse politika nuk i plotëson standartet e premtuara, ajo ndëshkohet me votë nga qytetarët e saj. Pra, një herë në katër vite, votuesit ”lajnë hesapet” me qeverinë e tyre të papërgjegjshme duke synuar në ardhjen në pushtet të opozitës, e cila të përmirësojë mirëqënien e tyre.
Këto marrëdhënie interesi, mbajnë në këmbë prej shekujsh ngrehinat shtetërore të demokracive euroatlantike. Çdo demokraci europiane e di mjaft mirë se mund të ndëshkohet nëpërmjet zgjedhjeve të ardhshme nga qytetarët. Por problemi tek zgjedhjet shqiptare qëndron në faktin se standartet e tyre dëmtohen nga të dyja krahët e politikës, si nga mazhoranca dhe nga opozita dhe këtë e pranojnë edhe vetë politikanët si majtas ashtu edhe djathtas. Mjafton të kujtojmë zgjedhjet e vitit 1996, 2001 apo mesa duket edhe ato të 2009, dhe mund të kuptohet se rezultati i votimit nuk është përcaktuar nga preferenca apo vlerësimi i elektoratit.
Në të gjitha këto proçese elektorale nuk ka qënë vullneti i qytetarëve që ka përcaktuar fituesin dhe kjo na ka sjellë në situatën që ndodhemi edhe sot. Politikanët nuk janë përpjekur për zbatimin e kontratës universale “taksim-përfaqësim-mirëqënie” sepse suksesi i fitores së tyre nuk është parë tek votuesit, por tek muskujt e komisionerëve militantë apo sistemi elektoral i zgjedhur. Mund të duket pak i ekzagjeruar ky përfundim, por provat e kësaj situate mund të shihen në disa fakte. Përshembull, mazhoranca nuk ”skuqet” përpara mosrealizmit të premtimeve të saj elektorale me 24 orë furnizim me ujë e drita apo hapje të 200 mijë vendeve të reja pune. Po kështu, opozita socialiste ndoqi të njëjtën taktikë dhe nuk e quajti të nevojshme të hartonte një program të saj elektoral për t’ia paraqitur publikut përpara zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. U paraqit një dosje me njëmijë faqe, por brendia e saj nuk u bë kurrë publike me argumentin se ”njerëzit nuk i lexojnë asnjëherë programet”.
Ky arsyetim për zvetënimin e votës së qytetarit, shpjegon gjithashtu se përse partitë i janë larguar gjithnjë e më tepër probleme të ditës të zgjedhësit shqiptar dhe i kanë matur sukseset e tyre me notat pozitive apo negative të deklaratave dhe raporteve të Brukselit. Rolet janë ngatërruar keqazi dhe politikanët shqiptarë kujdesen e japin llogari përpara Brukselit dhe jo para zgjedhësve të tyre. Në këtë realitet artificial, europianët kanë vazhduar të përdorin gabimisht të njëjtat taktika diplomatike, deklarata ”edhe kështu, edhe ashtu” siç ishte edhe rasti i raportit të OSBE për zgjedhjet, i cili edhe shpreh mungesë parregullsish edhe shënon numërimin e keq në 1/3 e zonave. Një qëndrim i kujdesshëm që nuk e ka ndihmuar aspak zgjidhjen e krizës shqiptare gjatë këtyre 12 muajve.
Pikërisht në javët e fundit, zyrtarët europianë po synojnë që të marrin më seriozisht çështjen shqiptare duke tentuar të përfshijnë në fushën e lojës edhe një lojtar të nëpërkëmbur nga politika, qytetarin shqiptar. Sigurisht duke i bllokuar atij mundësinë për të lëvizur pa viza, por duke synuar që t’i japin një shtytje të mëtejshme për të marrë në dorë fatin e tij. Por nëse do të jetë e ndershme me këtë qytetar, Europa duhet t’i servirë atij garancitë e duhura që vota e tij nuk do të deformohet nga politika. Nëse kjo garanci mund të arrihet nga hetimi i zgjedhjeve të shkuara, ashtu siç mendojnë socialistët, Brukseli duhet ta thotë hapur edhe këtë. Nëse zyrtarët e BE-së njohin një eksperiencë tjetër ku sistemi zgjedhor të mbrohet nga “orekset” e politikanëve tanë, edhe kjo duhet provuar në Shqipëri.
Tashmë, Europa duhet të kuptojë se duhet të flasë hapur mbi detyrat dhe përgjegjësitë e gjithsecilit në këtë krizë. Të lërë mënjanë për pak kohë deklaratat diplomatike ku përgjegjësia është e përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës. Rrjedhoja e kësaj strategjie të kujdeshshme të Europës është edhe fakti që secila nga palët e shikon fajin tek tjetra dhe në këtë mënyrë zgjidhja nuk arrihet. Nëse faji për krizën do të mbetet i të dyja palëve, por njëkohësisht i asnjërës prej tyre, atëherë kriza dhe bllokimi i lëvizjes së lirë për qytetarin shqiptar mund të vazhdojë edhe për shumë vite të tjerë pa sjellë një rezultat pozitiv. Në rrezik këtë herë nuk është vetëm integrimi europian, por edhe stabiliteti dhe ekonomia e vendit.
(Botuar ne “Gazeta Shqiptare”)
Leave a comment
You must be logged in to post a comment.
Pyetje liderit
Search
Komentet e fundit
- etase on Kriza politike dhe lëvizja e lirë
- admin on Protesta dhe kriza ekonomike
- anila_2010 on Radikalizimi i protestës së opozitës
- etase on Radikalizimi i protestës së opozitës
- Edlira Gjoni on Protesta dhe kriza ekonomike
Me te lexuarat
- No results available

08/03/2010