tema e dites

Administrata anemike
Gjatë 20 viteve të fundit të tranzicionit shqiptar, administrata publike vazhdon të vuajë të njëjtat probleme të rënda. Rotacioni i pushtetit, shoqërohet gjithmonë me ndryshime të shumta në stafet e ekspertëve, duke anashkaluar meritat profesionale për hir të shpërblimit të militantëve partikë. Kjo situatë, ku nuk respektohet statuti i nëpunësit civil dhe nuk vlerësohen meritat në punë, ndikon drejtpërdrejtë në mungesën e një administrate profesionale dhe të pakorruptuar. Si e vlerësoni nivelin e administratës së sotme dhe cilat janë rrugët për të ndryshuar këtë situatë ?

 

Negociatat dhe rihapja e kutive
Presidenti i Republikës ka zyrtarizuar vullnetin e tij për të negociuar në zgjidhjen e krizës politike. Një rol që nuk duket aspak i lehtë duke patur parasysh që asnjë nga palët nuk ka shfaqur deri më sot ndonjë shenjë tolerimi mbi “thembrën e Akilit”, rihapjen e kutive të votimit. Në të njëjtën pozitë të vështirë duket se do të gjenden edhe ndërkombëtarët, të cilët janë përfshirë kësaj here përkundër dëshirës së tyre në mosmarrëveshjet e brendshme të politikës shqiptare. Cili mendoni se mund të jetë fati i këtyre negociatave dhe si mund të gjendet një zgjidhje që të kënaqë të dyja palët?

 

Shqipëria dhe Kosova, sa pranë e larg
Në dy vjetorin e pavarësisë së Kosovës, mund të themi pa frikë se diplomacia shqiptare ka ndihmuar me të gjitha mundësitë e saj për njohjen në arenën ndërkombëtare të shtetit më të ri në botë. Por kur vjen fjala tek bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve tona, ka ende shumë për të bërë. Në cfarë optike duhet të shihet bashkëpunimi i ardhshëm Shqipëri-Kosovë ? Cila duhet të jetë qasja politike shqiptare dhe kosovare, në eleminimin e barrierave të deritanishme ?

 

I gjithë faji i sistemit zgjedhor?
Sistemi zgjedhor që u aplikua në zgjedhjet e fundit parlamentare, proporcionali rajonal, po shihet nga një pjesë e mirë e spektrit politik si jo i përshtatshëm për kushtet e Shqipërisë. Aleati kyc i mazhorancës, LSI-ja, është shprehur vendosmërisht përpara zgjedhjeve kundër këtij sistemi, ndërkohë që ka gjithnjë e më tepër zëra brenda opozitës të cilët e shohin shkakun e humbjes tek përcaktimi i kësaj formule. A mendoni se sistemi zgjedhor ka ndikuar në situatën e sotme politike? A duhet të ndryshojë sërish ky sistem apo duhet të gjenden forma të tjera për të rifituar besimin tek procesi zgjedhor ?

 

Politika në udhëkryqin e krizës
Bojkoti i parlamentit nga opozita dhe refuzimi për të rinumëruar kutitë e votimit, po e agravojnë cdo ditë e më tepër krizën politike që ka mbërthyer politikën shqiptarë që pas 28 qershorit. Gjithcka ndodh në momentet me delikate për proceset e integrimit në strukturat europiane duke e rrezikuar së tepërmi imazhin e vendit. Mungesa e dialogut ndërpartiak po bllokon gjithashtu edhe shumë reforma të nevojshme për sektorë që ndikojnë në përmirësimin e situatës ekonomike dhe sociale të gjithësecilit. Cilat mendoni se mund të jenë rrugët për gjetjen e një kompromisi politik për zgjidhjen e kësaj situate ?

 

Meritë e Berishës apo gabimi i PD?
Kuvendi i 9-të kombëtar i Partisë Demokratike, ashtu siç pritej konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e palëkundur të kësaj partie ndaj kryetarit të saj, Sali Berisha. Lideri demokrat, vazhdon të ketë të njëjtën mbështetje të palëkundur brenda partisë së tij gjatë këtyre 18-19 viteve të fundit, duke regjistruar emrin e tij si drejtuesi më jetëgjatë në skakierën e politikës shqiptare të postkomunizmit. Shumë zëra jashtë së djathtës, e cilësojnë këtë mungesë rivaliteti dhe jetëgjatësi të Berishës, si një mungesë demokracie të brendshme në PD dhe nënshtrim të strukturave përbërëse të kësaj partie. A mendoni se është normale ky shqetësim ? A duhet të shihet jetëgjatësia e një lideri si një keqfunksionim i demokracisë së një partie ?

 

Bojkoti i zgjedhjeve nga opozita

Pas refuzimit për të zënë vendet e saj në Kuvend, Partia Socialiste ka zyrtarizuar së fundi edhe mospërfshirjen në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Megjithë disa zëra kundër bojkotit brenda PS dhe këshillat e ndërkombëtarëve për t’iu rikthyer debatit parlamentar, opozita duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës së saj për hapjen e kutive të 28 qershorit, në emër të “mbrojtjes së demokracisë”. A mendoni se ky bojkot i zgjedhjeve, pra i demokracisë, është rruga e duhur?

 

I pandehuri Mediu në qeveri
Një grup analistësh të medias dhe veprimtarësh të shoqërisë civile, kanë inicuar ditët e fundit një peticion kundër përshirjes së z.Fatmir Mediu në kabinetin e ri qeveritar. Shkak i këtij qëndrimi publik, është fakti që z.Mediu është duke u gjykuar si një nga zyrtarët kryesorë që krijuan kushtet për tragjedinë e Gërdecit. A mendoni se ky rikthim në qeveri i kreut të republikanëve, mund të cënojë një proces të rregullt gjyqësor ndaj tij ? A përbën kjo përfshirje e Mediut, një problem politik dhe moral të kryeministrit dhe kabinetit të tij qeveritar ?

 

Korrupsioni, a është fituar beteja ?
Korrupsioni ishte kali i betejës me të cilin erdhi në pushtet mazhoranca aktuale. Gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes, ka patur shumë zyrtarë të arrestuar për korrupsion nga vetë përfaqësuesit e administratës, ndërkohë që ka patur edhe shumë akuza nga opozita dhe mediat për skandale korrupsioni të sferave të larta të pushtetit.
A mendoni se është luftuar në masën e duhur korrupsioni ? A e ka fituar betejën e premtuar mazhoranca?

 

Modeli i politikanit, të rinjtë apo të vjetrit?
Cikli i emisioneve quhet ‘Kush fiton” zgjedhjet. Debati ynë mund të detajohet më tej: Kush fitoi në përballjen televizive, modeli i politikës së re apo asaj të vjetër? Sërish emisioni “Opinion” ka ngjallur debate me prezantimin e  të rinjve të ardhur në politikë. Këtë herë, përballja e Elisa Spiropalit me Edi Palokën, nxorri në pah se sa të ndryshëm mund të jenë modelet e moderimit dhe akuzave të politikanëve të brezave të ndryshëm.
A mendoni se fitoi (humbi) Spiropali apo Paloka nga kjo përballje?

 

Si zgjidhen “Kartat e Identitetit”
Procesi i pajisjes me karta identiteti të votuesve shqiptarë ka hyrë në pikë mjaft delikate dhe bashkë me të edhe suksesi i procesit zgjedhor të 28 qershorit. Opozita ka bojkotuar parlamentin dhe kërcënon me protesta nëse nuk do të hiqet ajo që cilësohet prej saj « taksa e votës ». Kur kanë mbetur vetëm pak javë nga mbyllja e cdo mundësie për të pajisur të gjithë qytetarët pa pasaporta me karta identiteti, qeveria nuk ka dhënë ende një sinjal lëshimi në këtë aspekt. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo cështje që rrezikon kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve apo vlerësimin ndërkombëtar ndaj tyre.

 

Shqipëria në NATO, politika ende
Jemi më në fund pjesë e aleancës më të madhe ushtarake të botës. Prania në këtë aleancë sigurisht që nuk lidhet vetëm me standartet ushtarake, por edhe me ato politike, ekonomike dhe sociale të një vendi. Politika shqiptare ka nisur tashmë betejën për të marrë meritat e këtij momenti dhe kjo u pa jo vetëm në debatin e djeshëm në “Top Story” mes zonjës Topalli dhe z.Ruci, por edhe në ndarjen në dy festime në sheshin Skënderbej: Bashkia dhe kryetari i saj i ftojnë qytetarët të festojnë më datë 4 prill, ndërsa kryeministri në datë 5 prill. Si e komentoni këtë situatë të politikës edhe në këtë ditë të shënuar? A i ka plotësuar standartet e NATO politika shqiptare?

 

Sondazhet, fjala e fundit e të “vegjëlve”?
Sërish sondazhe, por këtë radhë është Partia Demokratike që fiton me 45.6% të votave. Ky është rezultati që publikoi qendra “Gani Bobi” në TV Klan. Me gjithë ndryshimin e fituesit, që në “Top Channel” rezulton PS-ja e në “TV Klan” PD-ja, të dy sondazh-bërësit e nxjerrin LSI-në në vend të tretë e G99 në vend të katërt në zgjedhje. Gjithashtu, asnjëra nga Partitë e mëdha nuk e kalon dot pragun për të qeverisur e vetme. Për të djathtën, nëse marrim për bazë sondazhin e “G.Bobit”, 45.6% të PD-së, edhe po i shtove 1% të partisë së Mediut, fitorja mbetet e dyshimtë. Nëse PS-ja merr 42.5%, duke i shtuar edhe 2.3% të G99, grupimi shkon në 44.8% (pra shumë afër PD-së). Por, nëse të majtës i shton edhe 6.2 përqindëshin që thuhet se do marrë dyshja LSI-PSV ‘91, atëherë rezulton që e majta shkon në 51%. Po ta interpretosh ndryshe, me këtë 6.2%, i bie që të jenë Ilir Meta dhe Petro Koci ata që do të vendosin se kush do të qeverisë. Si i shihni ju këto sondazhe të fundit dhe rezultatet e tyre? Sa po ndikojnë në politike dhe në elektorat?

 

Sondazhi i “Zogby”: PS 39 % dhe PD 34 %
Sipas sondazhit të fundit të kompanisë “Zogby”, Partia Socialiste është fituesja e zgjedhjeve me 39% të votuesve. Sondazhi i kryer në muajin shkurt nxjerr përfundimet se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, PS do të ishte fituesja e tyre. 1000 personat e pyetur kanë renditur në vendin e dytë Partinë Demokratike me 34% të votave dhe më pas LSI dhe G99 përkatësisht me 5 dhe 2%. Partitë e tjera PDK, PBDNJ, PR, PSD dhe PAA do të merrnin secila nga 1% të votuesve.Ndërkohë, rreth 12% e të pyeturve janë shprehur të pavendosur për cilën forcë politike do të votojnë, ndërsa vetëm 4% nuk dëshirojnë të tregojnë preferencat e tyre.
Sondazhi ka kryer gjithashtu vlerësimin e liderëve, ku spikatet mbështetja ndaj Edi Ramës, me 44% të të pyeturve, kundrejt 36% që vlerësojnë pozitivisht kryeministrin Berisha. Gabimi në sondazh mund të llogaritet në +/- 3%.

 

Përçarja e së majtës, sa e dëmton atë?
Përkujtimi i tragjedisë së Gërdecit me dy protesta të ndara më 15 mars, është dëshmia e fundit e ndarjes së të Majtës në këtë pragzgjedhjesh. Mesa duket, LSI së bashku me Partinë Socialiste të Vërtetë (të drejtuar nga Petro Koçi), do të shkojnë në zgjedhje të ndarë nga PS dhe aleatët e saj tradicionalë të majtë. Gjuha e akuzave të ndërsjellta mes dy liderëve Rama dhe Meta, pritet të ashpërsohet edhe më tej me nisjen e fushatës elektorale dhe rrjedhjen e drejtuesve lokale nga LSI drejt PS dhe anasjelltas.
Në kushtet e një sistemi të ri elektoral, si dhe duke patur parasysh mundësinë e krijimit të një qeverie koalicionesh, sa e dëmton kjo ndarje parazgjedhore të majtën shqiptare ?

Pyetje liderit

Duke dashur që të sjellim sa më pranë vendimmarrësve, idetë dhe shqetësimet e studentëve të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, kemi menduar që të organizojmë disa kontakte online me liderë të ndryshëm të politikës shqiptare. Nëse dëshironi që të bëheni pjesë e këtij projekti, mund të na shkruani ne adresën: admin@politika.al. Gjithashtu, përzgjedhja e liderëve do të kryhet edhe mbi bazën e kërkesave tuaja.

Search

Me te lexuarat

  • No results available

Arkiva

number of visitors